Lajme

Dhunë ndaj grave në disa qytete të Kosovës, arrestime dhe viktima që kërkuan ndihmë mjekësore

Disa raste të dhunës në familje dhe sulmeve fizike ndaj grave janë raportuar në Kosovë, ndërsa një viktimë bashkë me fëmijët e saj është dërguar në strehimore.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rastet janë regjistruar në Vushtrri, Ferizaj, Pejë, Gjakovë dhe Fushë Kosovë.

Në Vushtrri, më 19 nëntor, rreth orës 11:00, është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht një grua. Pas incidentit, viktima së bashku me fëmijët e saj është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit.

Një tjetër rast i dhunës në familje është raportuar në Ferizaj, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në vuajtje të dënimit.

Në Pejë, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se, pas një mosmarrëveshjeje, ka sulmuar fizikisht një grua. Rasti ka ndodhur më 19 nëntor, rreth orës 10:30. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, në Gjakovë, Policia është në kërkim të një burri që dyshohet se ka keqtrajtuar fizikisht dhe psikikisht një grua. Rasti është raportuar të ketë ndodhur më 17 nëntor, ndërsa viktima ka pranuar trajtim mjekësor.

Në Fushë Kosovë, më 19 nëntor, rreth orës 19:00, një grua është sulmuar fizikisht nga një burrë. I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje. Rasti është cilësuar si lëndim i lehtë trupor.

Po në Fushë Kosovë, Policia ka arrestuar një burrë tjetër nën dyshimin se nuk kishte respektuar urdhrin mbrojtës të gjykatës ndaj një gruaje. Rasti lidhet me datën 8 nëntor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje pas intervistimit.

Në Gjakovë është regjistruar edhe një rast tjetër i dhunës në familje, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht një burrë tjetër. I dyshuari është arrestuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rastet po trajtohen sipas procedurave përkatëse ligjore.

Të Ngjashme