Lajme

Kabashi: Përçarja në PDK për Specialen lidhet me mospajtimin Thaçi–Veseli

Gazetari dhe analisti Bekim Kabashi ka vënë në pikëpyetje unitetin brenda Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ai dyshon se kundërshtitë në parti pasqyrojnë mospajtime mes Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

Në emisionin “Debat Plus” të RTV Dukagjinit, Kabashi tha të enjten mbrëma se nuk beson që PDK-ja ka vepruar në mënyrë autonome, pa këshilla e sugjerime nga Haga. “Është problem i brendshëm i PDK, por jo vetëm këtu”, u shpreh ai.

Sipas tij, po të kishte qëndrim të përbashkët mes Thaçit dhe Veselit për mënyrën si partia duhej t’i qasej ligjit, nuk do të kishte asnjë kundërshti brenda saj. Kabashi shprehu edhe bindjen se Thaçi nuk ka qenë në favor të ndryshimit të ligjit. Për këto pretendime ai nuk paraqiti prova.

Deklaratat erdhën në ditën kur PDK-ja hoqi dorë nga rimiratimi i ligjit të kthyer nga presidentja dhe u pajtua me kryeministrin Albin Kurti për një nismë të re. Ushtruesja e detyrës së kryetares së partisë, Vlora Çitaku, kërkoi ndjesë për vonesat dhe paqartësitë e deritanishme.

Në të njëjtin emision, analisti Imer Mushkolaj tha se mënyra si u menaxhua procesi ka lënë shije të hidhur te qytetarët.

Të Ngjashme