Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përcolli sot një mesazh urimi me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë, duke e cilësuar këtë datë si festën më të rëndësishme të kombit shqiptar.
Në mesazhin e tij, Berisha kujton shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 në Vlorë nga Ismail Qemali, si dhe sakrificat e brezave të shqiptarëve për liri, pavarësi dhe dinjitet kombëtar.
Në të njëjtën kohë, Berisha bëri thirrje për pjesëmarrje në protestë, me mesazhin “sot protestë kombëtare! Të gjithë në shesh!”.
“Sot protestë kombëtare! Të gjithë në shesh! Miq, sot mbarë kombi, në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarët, feston 28 Nëntorin si festën e të gjitha festave, Ditën e Flamurit tonë Kombëtar, ditën e shpalljes, më 28 Nëntor të vitit 1912, nga Ismail Bej Vlora, të Pavarësisë së Shqipërisë në qytetin e Vlorës”, shprehet kreu i PD.
“Ndaj sot, në ditëlindjen e re të kombit tonë të lashtë, 114-vjetorin e saj, ne nderojmë dhe përulemi me mirënjohjen më të thellë për Flamurin tonë Kombëtar, babanë e Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Bej Vlorën, dhe Isa Boletinin e etërit e tjerë të saj. Nderojmë qindra mijëra shqiptarë që sakrifikuan jetën e tyre në të gjitha kohërat për liri dhe dinjitet kombëtar e njerëzor, për Shqipërinë e lirë dhe të pavarur”, shkruan ai në mesazhin e tij.
Në këtë ditë simbolike, kreu i Partisë Demokratike ka përcjellë urimet për shqiptarët kudo që ndodhen, duke u uruar Shqipërisë përjetësi, zhvillim dhe begati.
“Prandaj, të dashur miq, ju ftoj t’i urojmë së bashku Shqipërisë dhe mbarë kombit tonë: Gëzuar këtë ditë! Përjetësi, zhvillim dhe begati!
Më 28 Nëntor të vitit 1443, prijësi i përjetshëm i kombit shqiptar ngriti Flamurin e Lirisë në Krujë dhe për më shumë se gjysmë shekulli e shndërroi Krujën dhe Arbërinë në kështjellën e pamposhtur të lirisë. Sot, në ditëlindjen e re të kombit tonë të lashtë, ne nderojmë prijësin tonë të përjetshëm, Skënderbeun, dhe luftërat e tij legjendare që i dhanë kombit shqiptar pavdekësi”, shkruan Berisha.
