Lajme

Besnik Bislimaj dhe Rrustem Thaqi sërish kandidatë për kryesues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Gjyqtarët Besnik Bislimaj dhe Rrustem Thaqi, janë sërish kandidatë për pozitën e kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Besnik Bislimaj- gjyqtar nga Gjykata e Apelit dhe Rrustem Thaqi, gjyqtar nga Gjykata Supreme, kishin kandiduar edhe në konkursin e 12 marsit, por që më 30 prill kishte dështuar zgjedhja e kryesuesit dhe ishte rishpallur konkursi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Lajmin për kandidimin e Bislimajt dhe Thaqit e konfirmoi në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Aishe Qorraj.

“Ju informojmë se kandidatët që kanë aplikuar për pozitën e kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, janë: Rrustem Thaqi, gjyqtar në Gjykatën Supreme të Kosovës; Besnik Bislimaj, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, konfirmoi Qorraj.

Fillimisht, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) më 12 mars shpalli konkurs për kryesues të ri, i cili ishte i hapur deri më 26 mars 2026. Por, më 30 prill dështoi zgjedhja e kryesuesit pasi dy kandidatët morën nga pesë vota, kështu u rishpall konkursi.

Mandatin e kryesuesit i fundit e ka mbajtur gjykatësi nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, Albert Zogaj. Mandati i tij përfundoi më 9 mars 2026. 

Kujtojmë se Kuvendi i Republikës së Kosovës më 24 prill 2026 kishte zgjedhur anëtarë të KGJK-së, Bashkim Hysenin- gjyqtar në Gjykatën Supreme dhe Ivana Milenkoviqin- nënkryetare dhe gjyqtare në Gjykatën e Apelit, por dështoi zgjedhja e një anëtari tjetër.

Këshilli Gjyqësor parashihet të ketë 13 anëtarë, aktualisht me zgjedhjen e Hysenit dhe Milenkoviqit janë 11, duke mbetur edhe dy vende pa u plotësuar, derisa për një vend po zhvillohet procesi gjyqësor në Gjykatën Themelore Prishtinë, derisa seanca u mbajt më 4 maj 2026. 

Të Ngjashme