Aktuale

Çfarë ndodhi për 6 orë brenda SPAK? Endri Meksi del me paralajmërimin e fortë: Ja çfarë zbulova për AKSHI-n!

Biznesmeni Endri Meksi u paraqit ditën e djeshme në Prokurorinë e Posaçme ku qëndroi për rreth gjashtë orë.

Në një intervistë për mediat Meksi ka bërë me dije se paraqitja e tij në SPAK ishte për investigimet dhe denoncimet që lidhjen me çështjen e AKSHI-t.

Biznesmeni u shpreh se mbështetja për SPAK nuk do të ndryshojë, pavarësisht si do të vijojë procesi. Ndërkohë ai tha se denoncimet për këtë aferë nuk do të ndalen dhe se detaje të reja do të zbardhen në ditët në vijim.

“Nuk ka për të ndryshuar mbështetja ndaj SPAK pavarësisht se si do të vijojë. Koha do e tregojë se ne do të jemi të njëjtët, sepse nuk mund të zgjedhim se si do të sillemi me publikun dhe aktorët në vend, sipas skenarëve tona. Do vazhdojmë të pasqyrojmë aferën e AKSHI-t dhe do vazhdojmë të tërheqim vëmendjen e aktorëve të ndryshëm, në mënyrë që të zbardhim sa më shumë nga kjo aferë. Se zbardhja e aferës do të ndihmojë sa më shumë aktorë.

Dalja ime nuk ishte për qejf, se nuk kisha çfarë të bëja dhjetë ditë rresht. Nuk kam asnjë hall, mund të zgjidhja të ikja. Por vendosa të flas. Të ndërpresim ata që thonë se ka një hall, se ata që kanë një hall nuk dalin në televizion. Dua të qartësojë situatën. Në sytë e shumë njerëzve, përfshi dhe familjarëve të mi, ideja është konstante që një ngjarje si e djeshmja është e dëmshme. Nuk dua t’i heq rëndësinë SPAK që të them sa vajtja atje ishte si në restorant. Ne vazhdojmë punën me lajme në mënyrën më korrekte. A ka mundësi ta rrisim nivelin? A ka mundësi të jemi akoma më të vërtetë në vijim? A ka mundësi të gjejmë detaje të reja dhe ti zbardhim dhe ato?

Nuk kisha asnjë dyshim të vetëm për profesionalizmin e atyre që do takoja. Isha shumë i bindur që do gjeja vetëm profesionalizëm. E kam thënë dhe më parë, nuk ndryshon asgjë sot. Kam qenë i sigurt dhe jam i sigurt dhe sot që janë tejet profesional. Unë nuk shkova aty si naiv, di procedurat e AKSHI-t që kam marrë pjesë ndër vite. SPAK na ndihmoi për të zbuluar më shumë nga vendimet e GJKKO. Gjeta vetëm profesionalizëm. Nuk mund të them dot më shumë, se dua t’i lë të punojnë të qetë. Është herët për ta kuptuar, vijueshmëria. Ajo që dua të them është se do vazhdojmë më tej. Është rrugë e gjatë, jemi në sezonin e parë. Do kemi vijueshmëri në ditët në vijim. Dalja sot ishte për të shmangur keqkuptimet”, u shpreh Meksi.

Biznesmeni tha më tej se afera e AKSHI-t mund të ketë lidhje me “Homeland Justice”.

“Në 2022 në muajin korrik ne u njohëm me aferën e iranianëve, Homeland Justice, ku për 99.9% të publikut kjo aferë është e paqartë. Që në momentin e parë ata që e njohin sistemin informatik, e dinë që ka diçka më shumë. IT di diçka. U kuptua se penetrimi në sistemet e AKSHI-t zgjaste prej një viti, që prej periudhës së zgjedhjeve të 2021, që përkon me rrjedhjen e të dhënave të patronazhistëve dhe daljen e pagave. Jo më kot janë disa njerëz të përfshirë që kanë qenë dhe atëherë. Këta persona kurrë nuk kanë dalë dhe kurrë nuk kanë folur. A ka kosto? Padyshim që do të ketë! Nuk është term i duhur sakrifikimi, por gjykoj se ky ekspozim ka interesin e vetë dhe për publikun se disa gjëra nuk mund të ngelen enigmë dhe nëpërmjet të vetmit mjet që është shantazhi, të ecin përpara. Historia e Homeland Justice është pika nga e cila duhet të nisim. Kush është IT përgjegjës, nga dolën të dhënat. Kush është kompania përgjegjëse? Sepse jam i bindur 1000% se Homeland Justice ka një emër në Shqipëri, Ermal Beqiri. Ne kemi kërkuar iranianët, amerikanët, por ky është një emër shqiptar. Do eksploruar pse zoti Berisha dhe zoti Salianji flasin aktualisht për Ermal Beqirin dhe se pse nuk flet ai”, u shpreh ai.

Të Ngjashme