Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Çfarë tregon për lidhjet SHBA-Rusi shpërfillja e paralajmërimit për sulmin në Moskë

Në dhjetor 2017, vetëm pak javë para se miliona qytetarë rusë të bëheshin gati ta festonin Vitin e Ri – një ndër festat më të dashura të vendit – agjencia kryesore e inteligjencës ruse njoftoi se e kishte parandaluar një komplot të Shtetit Islamik për të vrarë vizitorët në vendet më të rëndësishme në qytetin e dytë më të madh rus, Shën Petersburg.

Derisa kjo nuk ishte hera e parë që Shërbimi Federal i Sigurisë kishte pretenduar se e kishte parandaluar një sulm terrorist, njoftimi ishte i pazakontë për shkak se ajo e pranonte se nga kush e kishte marrë informatën: Shtetet e Bashkuara.

Madje Kremlini shkoi aq larg saqë tregoi se presidenti Vladimir Putin, një ish-oficer i KGB-së, e falënderoi personalisht presidentin e atëhershëm amerikan, Donald Trump. Një muaj më vonë, drejtorët e tre agjencive kryesore ruse të inteligjencës dhe agjencitë e spiunazhit, e vizituan Uashingtonin, një ndodhi tejet e pazakontë.

Gjashtë vjet më vonë, në fillim të marsit, një paralajmërim për një sulm të “pashmangshëm” terrorist iu bë agjencive ruse të inteligjencës. Madje Ambasada amerikane në Moskë doli publikisht dhe i paralajmëroi qytetarët amerikanë.

Ky paralajmërim papritmas e zemëroi Kremlinin.

Gjatë një takimi më 19 mars me zyrtarët e sigurisë, Putini e pranoi se Rusia e kishte marrë një informatë – po e shpërfilli atë duke e cilësuar si “propagandë të pastër” dhe “shantazh për ta frikësuar dhe destabilizuar shoqërinë tonë”.

Tri ditë më vonë, më shumë se 140 njerëz në sallën e koncerteve Crocus afër Moskës u vranë nga disa burra të cilët shtinë me armë zjarri ndaj pjesëmarrësve në koncert dhe pastaj ia vunë zjarrin ndërtesës.

Ky ishte sulmi më i rëndë terrorist në Rusi në dy dekadat e fundit.

Për disa ish-oficerë të inteligjencës amerikane, faji për bashkëpunim të dobët bie plotësisht mbi supet e Moskës: shërbimet ruse të sigurisë e shohin shkëmbimin e informatave mbi të gjitha si mundësi për përfitime politike dhe strategjike, thonë ata.

Shërbimet ruse të inteligjencës “nuk janë të interesuara për bashkëpunim, por përdorin angazhime të tilla për të zhvilluar informata dhe për të ngacmuar”, tha Douglas London, një oficer i lartë në pension i CIA-s, i cili ishte përfshirë në shkëmbimin e informatave në dhjetor 2017.

“Mashtrohesh nëse mendosh se suksesi në Shën Petersburg është tregues i gjendjes së marrëdhënieve mes [agjencive] të inteligjencës”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.