Gazetari nga Shqipëria, Aleksandër Çipa, ka komentuar zhvillimet e fundit të protestave kundër kryeministrit Edi Rama, duke vlerësuar se dy ditët e fundit janë karakterizuar nga një situatë më e qetë dhe pjesëmarrje relativisht e ulët.
Sipas Çipës, protesta e sotme u zhvillua pa incidente të theksuara, ndërsa protestuesit vazhduan të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Protestat në dy ditët e fundit kanë qenë më të qeta. Ditën e sotme ishte protestë e qetë, me pjesëmarrje relativisht të ulët. Kishte thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, por jo edhe hedhje të sendeve në drejtim të institucioneve apo bizneseve”, është shprehur Çipa në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ai theksoi se kërkesa kryesore e protestuesve mbetet largimi i Ramës nga pushteti, duke shtuar se, sipas vlerësimit të tij, ata nuk janë të interesuar për dialog.
“Protestuesit nuk duan dialog, por vetëm dorëheqjen e Edi Ramës”, deklaroi Çipa.
Çipa vlerësoi gjithashtu se qetësimi i protestave mund të jetë pjesë e një taktike të organizatorëve dhe paralajmëroi mundësinë e përshkallëzimit të situatës në ditët në vijim.
“Zbutja e protestës është taktikë e protestuesve. Besoj se protesta mund të ndizet në ditët në vijim”, u shpreh ai.
