Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, i reagoi ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila tha se “më e rëndësishme është ta zgjedhim presidentin sesa të votojmë ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara”.
Çitaku tha se prioritetet i cakton populli, duke thënë se ai që 17 ditë po del në rrugë për të protestuar për UÇK-në.
“UÇK-ja është mbi çdo temë e çdo prioritet! Prioritetet i përcakton populli. Dhe populli ka 17 ditë në rrugë për një arsye: UÇK-në. Dëgjojeni zërin e tij. Silleni ligjin në Kuvend dhe votojeni pa vonesë! Mos bëni politikë. Merrni, për një herë të vetme, vendime në interes të shtetit! JO NË EMRIN TIM!”, shkroi Çitaku.
Haxhiu më herët tha se çështja e Presidentit nuk duhet të kushtëzohet me Projektligjin e PDK-së për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Unë kam përcjellë disa prej qëndrimeve të Partisë Demokratike të Kosovës, natyrisht që nuk janë gjithmonë të njëjta, ndërrojnë nga dita në ditë, nga përfaqësuesi në përfaqësues. Pra nuk ka një konsistencë në qëndrimet e tyre. Sa i përket deklaratës së zotit Hamza, meqë është kryetari i partisë po e marr si të mirëqenë, unë nuk jam që të bëhem pazare për këtë çështje. Unë mendoj që të gjithë me përgjegjësinë më të lartë që kemi duhet të ulemi dhe të flasim për prioritetet që i kemi, sepse për mua më e rëndësishme është që ta zgjedhim presidentin se sa që ta votojmë ligjin (ndryshimet ligjore të iniciuara nga PDK-ja për ligjin për Dhomat e Specializuara)”, tha Haxhiu.
Sipas ushtrueses së detyrës së presidentes, pas zgjedhjes së presidentit do të ketë mundësi që të trajtohet edhe projektligji për ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara, si dhe kërkesa e Kuvendit për një strategji të përbashkët institucionale.
