Profesori Muhamet Kelmendi ka komentuar situatën politike në Kosovë.
Ai thotë se Kosova po hyn në një krizë politike të përsëritur, ku brenda një periudhe të shkurtër mund të mbahen deri në tri zgjedhje parlamentare.
Sipas tij, megjithëse Vetëvendosje ka dalë fituese në disa procese zgjedhore, mungesa e marrëveshjeve për koalicione dhe për pozitën e Presidentit po e bllokon formimin e institucioneve stabile. Ai e konsideron këtë situatë jo normale dhe shenjë të mosfunksionimit të sistemit politik.
“Çka po ndodh me partitë politike në Kosovë?
Po duket se Kosova po hyn në një fazë ku brenda rreth një viti e gjysmë mund të mbahen tri palë zgjedhje. Kjo nuk është normale.
Vullneti i votuesve është shprehur disa herë. Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka dalë fituese. Megjithatë, asnjë parti nuk ka arritur të krijojë koalicion për tri pozitat themelore të shtetit, në mënyrë që të qeverisë.
Zgjedhjet e para nuk prodhuan qeveri funksionale. Në zgjedhjet e dyta u konstituua Kuvendi dhe u formua qeveria, por nuk pati marrëveshje politike për pozitën e Presidentit të shtetit.
Në ofertat e bëra, VV nuk ia ofroi pozitën e Presidentit partive opozitare. Po ashtu, as vetë nuk doli me një kandidat konsensual për President të Kosovës.
Si pasojë, vendi po shkon drejt zgjedhjeve të treta parlamentare”, tha ai.
Ai e përshkruan situatën si një përplasje për pushtet më shumë sesa për ndërtim institucionesh, ku mungojnë ofertat serioze politike. Për këtë arsye, thotë se zgjedhjet e jashtëzakonshme po duken të pashmangshme, por paralajmëron se edhe pas tyre mund të përsëritet e njëjta krizë nëse nuk ndryshon kultura e kompromisit politik.
“Nuk ka dilemë se përgjegjësia kryesore bie mbi VV-në. Megjithatë, nga përgjegjësia nuk përjashtohet as opozita.
Opozita nuk arriti të dalë me një kandidat konsensual. Nga ana tjetër, VV nuk tregoi gatishmëri të mjaftueshme për të bërë marrëveshje politike me opozitën. Ndersa, opozita nuk donte.
VV-a ftoi veç e veç dy partitë kryesore opozitare dhe i ofroi LDK-së poste ministrore dhe një zëvendësministër. LDK nuk e pranoi këtë ofertë dhe më pas doli me kërkesën për pozitën e Presidentit, pa e artikuluar qartë më herët. Kete nuk e pranoj VV-ja.
Në përgjithësi, gjendja mbetet e paqartë.
Duket se përplasja mes pozitës dhe opozitës është më shumë për pushtet sesa për zgjidhje institucionale. Nuk po shihen oferta serioze dhe zgjidhje adekuate.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme po mbeten alternativa e vetme.
E keqja është se edhe pas zgjedhjeve mund të kemi të njëjtën situatë: pa kompromise dhe pa koalicione nuk mund të ndërtohet pushteti.
Çka atëherë?” – përfundon ai.
