Lajme

Debati për UÇK-në në Maqedoninë e Veriut, njohësit komentojnë deklaratat e Ahmetit

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka deklaruar se ka informacione për iniciativa në Gjykatën Kushtetuese që mund të rihapin çështje të Tribunalit të Hagës, përfshirë pretendime për hetimin e UÇK-së për krime lufte. 

Sipas tij, rihapja e këtyre çështjeve pas më shumë se 20 vjetësh do të rihapte plagë të vjetra.

“Kam informacione që ka iniciativa në Gjykatën Kushtetuese për të hapur çështjet e tribunalit të Hagës për t’u padit Ushtria Çlirimtare Kombëtare për krime lufte. 

Jo që më frikëson, por të hapësh plagë të vjetra dhimbja është më e madhe se sa kur hapet një plagë e re. Janë çështje që i kemi mbyllur më shumë se 20 vite më parë”, tha Ahmeti.

Mehazi: Mos ndoshta është propagandë politike e Ali Ahmeti, asgjë më shumë

Profesori Sulejman Mehazi në një përgjigje për “Bota sot”, ka paralajmëruar se çdo përpjekje për rihapjen e rasteve të luftës së vitit 2001 do të kishte pasoja të rënda politike dhe mund të destabilizonte Maqedoninë e Veriut.

“Nëse deklarata e Ali Ahmetit është e vërtetë, se Gjykat Kushhtetuese e RMV-së pas 22 vitesh të kaluara mund të rihap apo gjurmojë, hetojë krimet e luftës së UÇK-së në Maqedoninë e Veriut më 2001, që e ka kuptimin, se Gjykata Kushtetuese do shpallte trazira të rrezikshme për vetë Gjyjatën Kushtetuese, qeverinë e Mickoskit dhe vetë shtetin e brishtë të RMV-së.

Po qe se informacionet e kryetarit të BDI-së,  Ali Ahmetit, janë të vërteta atëherë pa hezituar fare mund të themi, se RMV-ja e Mickoskit shkon drejt shpërbërjes dhe ndarjes. Megjithatë, nuk besojmë se Mickoski me VLENI-n mund të pajtohen me Gjykatën Kushtetuese që të veprojmë në mënyrë të prapshtë kundër qytetarëve shqiptarë, po dhe maqedonas”, thotë ai.

Image
Profesori Sulejman Mehazi

Mehazi shton se deklarata e Ali Ahmetit mund të jetë propagandë politike, por thekson se çdo veprim ndaj UÇK-së së vitit 2001 do të prekte të gjithë shqiptarët që kontribuuan gjatë konfliktit, e jo vetëm individë të caktuar.

“Mos ndoshta është propagandë politike e Ali Ahmeti, asgjë më shumë. Ndoshta e frikësojnë Ali Ahmetin për t’ia mbyllur gojën nacionaliste opozitare të tij. 

Nëse Tribunali i Hagës paditë UÇK-në e RMV-së, nuk paditë Ali Ahmetin që gjatë luftës së 2001 ka qëndruar në Prizren, por paditë tërë qytetarët shqiptarë në RMV të cilët gjatë luftës kanë kontribuar që nga më i riu e deri te më i moshuari”, thotë ai.

Krasniqi: Në aspektin terminologjik dhe juridik, këto nuk janë çështje për të cilat Tribunali i Hagës ka dhënë aktgjykime përfundimtare

Profesori Kolë Krasniqi për “Bota sot” vlerëson se deklarata e Ali Ahmetit duhet trajtuar me kujdes, pa dramatizim politik. 

Sipas tij, çështja lidhet me një iniciativë të paraqitur në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë për interpretimin e Ligjit për Amnisti dhe jo me një padi të re nga Tribunali i Hagës. Ai thekson se Gjykata Kushtetuese nuk mund të ngrejë aktakuza apo të rihapë procese penale, por vetëm të shqyrtojë kushtetutshmërinë e ligjit, ndërsa çdo procedurë e mëtejshme do të varej nga prokuroria dhe gjykatat kompetente. 

“Deklarata e z. Ali Ahmeti duhet të trajtohet me kujdes, pa dramatizim politik dhe pa e minimizuar kompleksitetin juridik dhe ndjeshmërinë ndëretnike të çështjës se pretenduar që lidhet me Ligjin për Amnisti.

Në fakt, ekziston një iniciativë publike, e paraqitur më 16 shkurt 2024 nga Pavle Trajanov në Gjykatën Kushtetuese te Maqedonisë, për shfuqizimin e interpretimit autentik të nenit 1 të Ligjit për Amnisti. Ky interpretim kishte mundësuar ndërprerjen e procedurave në katër dosjet e njohura si: “Udhëheqja e UÇK-së”, “Liqeni i Likovës”, “Varreza e Neproshtenit” dhe “Punëtorët e Mavrovës”. Prandaj, mbetet të sqarohet nëse z. Ahmeti i referohet kësaj iniciative apo ndonjë nisme të re.

Në aspektin terminologjik dhe juridik, këto nuk janë çështje për të cilat Tribunali i Hagës ka dhënë aktgjykime përfundimtare. Ato kanë qenë dosje të hetimeve paraprake nga hetuesit e Tribunalit të Hagës, të cilat Prokuroria e ketij Tribunali ia kishte transferuar drejtësisë së Maqedonisë për hetim dhe procedim të mëtejshëm.

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë nuk mund ta padisë UÇK-në, nuk mund të ngrejë aktakuzë dhe as t’i rihapë drejtpërdrejt procedurat penale. Ajo mund të vlerësojë vetëm kushtetutshmërinë e Ligjit për Amnisti ose të interpretimit autentik të tij. Vetëm nëse konstatohet se pengesa juridike duhet të hiqet, prokuroria dhe gjykatat kompetente mund të shqyrtojnë nëse ekzistojnë kushtet ligjore dhe provat e nevojshme për zhvillimin e procedurave konkrete penale.

Duhet pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, në vitin 2012, kishte vlerësuar se „interpretimi autentik nuk përbënte akt të përshtatshëm për kontroll kushtetues“, ndërsa më herët Ligji për Amnisti ishte konsideruar në përputhje me Kushtetutën. Prandaj, pranueshmëria e iniciativës së re, efektet e saj të mundshme juridike dhe pasojat politike që mund të prodhojë nuk mund të konsiderohen të vetëkuptueshme, e aq më pak të paragjykohen”, thotë ai.

Image
Profesori Kolë Krasniqi

Duke folur për mundësinë e rihapjes së procedurave, Krasniqi thekson se ajo do të ishte padrejtësi nëse do të zbatohej në mënyrë selektive vetëm ndaj ish-pjesëtarëve shqiptarë të UÇK-së ose do të përdorej për qëllime politike. Ai shton se drejtësia duhet të bazohet në prova dhe përgjegjësi individuale, ndërsa rihapja e rasteve mund të bëhet vetëm në kushte të caktuara ligjore, si paraqitja e provave të reja dhe duke respektuar parimin që askush të mos gjykohet dy herë për të njëjtën vepër.

“Rihapja e një procedure, vetëm për faktin se personat e dyshuar janë shqiptarë ose ish-pjesëtarë të UÇK-së, mund te reflektohet si padrejtësi ndaj shqiptarëve.

Një proces i tillë do të përbënte padrejtësi serioze nëse do të zhvillohej në mënyrë selektive vetëm kundër ish-pjesëtarëve shqiptarë; nëse do të anashkaloheshin krimet e pretenduara ndaj civilëve shqiptarë; nëse do të përdorej si instrument hakmarrjeje politike; nëse do të krijohej përshtypja e fajësisë kolektive të shqiptarëve; ose nëse do të cenoheshin parimet e gjykimit të drejtë, siguria juridike dhe prezumimi i pafajësisë.

Tribunali i Hagës ka trajtuar edhe krimet e kryera ndaj shqiptarëve. Në çështjen e Ljubotenit, Johan Tarçulovski u shpall fajtor për vrasje, trajtim mizor dhe shkatërrim të pronave të civilëve shqiptarë, ndërsa Ljube Boškoski u lirua nga akuzat. Kjo dëshmon se drejtësia duhet të zbatohet mbi bazën e provave dhe të përgjegjësisë individuale, pavarësisht përkatësisë etnike të viktimës ose të të akuzuarit.

Nga ana tjetër, standardet ndërkombëtare janë shumë kufizuese ndaj amnistive që mbulojnë krime lufte ose shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në çështjen Marguš kundër Kroacisë, ka pranuar se ndjekja penale për krime lufte mund të vazhdojë edhe pasi një procedurë e mëparshme ishte ndërprerë në bazë të amnistisë.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se çdo pretendim duhet të kualifikohet automatikisht si krim lufte. Një kualifikim i tillë duhet të mbështetet në prova të besueshme dhe të vërtetohet në një procedurë të rregullt gjyqësore.

Gjithashtu, për secilin person duhet të shqyrtohet veçmas nëse ekziston një vendim përfundimtar dhe nëse zbatohet parimi ne bis in idem, sipas të cilit askush nuk mund të gjykohet dy herë për të njëjtën vepër. Konventa Evropiane lejon rihapjen e procedurave vetëm në rrethana të caktuara, për shembull kur paraqiten fakte ose prova të reja, apo kur procedura e mëparshme ka pasur mangësi themelore që kanë ndikuar në rezultatin e saj”, potencon profesori.

Në fund, Krasniqi vlerëson se një rihapje e politizuar e rasteve mund të dëmtojë marrëdhëniet ndëretnike dhe të cenojë frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Ai thekson se konflikti i vitit 2001 duhet të konsiderohet politikisht i mbyllur, ndërsa përgjegjësia për krime të rënda mund të trajtohet vetëm mbi baza ligjore, me prova dhe përgjegjësi individuale.

“Sipas vlerësimit tim, një rihapje e politizuar dhe selektive do të mund të kishte pasoja serioze për marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut. Ajo mund të rikthente narrativat e konfliktit, të thellonte mosbesimin e shqiptarëve ndaj institucioneve, të nxiste protesta dhe të cenonte frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

Rreziku më i madh nuk qëndron vetëm te shqyrtimi juridik i këtyre rasteve, por te mundësia që drejtësia të perceptohet si mjet i njëanshëm për rishkrimin e karakterit të konfliktit të vitit 2001 ose për paraqitjen kolektive të UÇK-së dhe të shqiptarëve si palë kriminale.

Në këtë drejtim, duhet bërë dallimi ndërmjet mbylljes politike të konfliktit dhe përgjegjësisë individuale për krime të rënda.

Konflikti politik dhe ushtarak duhet të konsiderohet i përfunduar. Marrëveshja e Ohrit duhet të ruhet si bazë e paqes, e barazisë dhe e funksionimit multietnik të shtetit. Veprat e zakonshme të lidhura me konfliktin, të cilat ligjërisht janë mbuluar nga amnistia, duhet të mbeten të mbyllura pergjithemone për hir të sigurisë juridike, harmonise nderetnike dhe të stabilitetit institucional” – përfundon ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme