Po zhvillohet këtë mesditë gjyqi i Artan Tafanit në lidhje me atentatin ndaj Kujtim Metës, ngjarje e ndodhur në prill 2022. Në atë ngjarje Meta mbeti i plagosur dhe pas dërgimit në spital arriti t’i shpëtojë plagëve të marra.
Sipas dëshmisë që Tafani ka bërë më parë para hetuesve, ngjarja ishte porositur nga Laert Haxhiu dhe shkak ishte një debat që shënjestra kishte pasur me babain e Haxhiut.
“Kujtim Metën e njoh, e kam në lagje. Ditën që ka ndodhur atentati ndaj Kujtimit isha me vëllanë duke pirë kafe. Hyri dikush me maskë, jam fshehur poshtë tavolinës. E morëm me makinën time e çum në spital.
Lokali ndodhet te stacioni i trenit në Lushnjë. Pija kafen e mëngjesit aty dhe të pasdites. Ngjarja ka ndodhur pasdite. Kam qenë në tavolinë vetëm me vëllanë tim, po pinim kafe. Kujtimi ishte dy tavolina larg meje.
Unë kam qenë në hyrje të lokalit në krah të djathtë, ai ishte në tavolinën përballë derës. Kam dëgjuar vetëm “pau, pau”, jam shtrirë posht tavolinës. Autori ishte i maskuar, nuk e mbaj mend fiks sa afër i shkoi objektivit.
Vëllai kaloi në traumë pas ngjarjes. U largova deri te shkolla, në momentin kur jam kthyer, e kemi marrë dhe çuar në spital. E çuam në spital dhe pronarin e lokalit. Kujtimi punonte si shofer transporti”, shprehet dëshmitari.
