Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Demarkacioni me Serbinë temë e ‘nxehtë’, përkrahet propozimi i Kurtit – kërkohet kujdes në këto pika

Demarkacioni mes shteteve të ndryshme është mjaftë delikate, ku edhe prodhon reagime dhe debate të ndryshme.

Për këtë vlen të përmendet rasti i disa viteve më parë, ku Kosova bëri demarkimin me Malin e Zi, e që për këtë shpërthyen pakënaqësi dhe reagime të shumta.

E një demarkim me kufirin e një shteti tjetër është propozuar së fundi.

Ishte kryeministri i Kosovës i cili propozoi një plan sekuencimi për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, në takimin e 14 shtatorit në Bruksel në kuadër të dialogut.

Në njërën nga pikat e propozimit të Kurtit është caktimi i kufirit me Serbinë brenda dy viteve.

“Marrëveshja zyrtarizon heqjen dorë formale të Serbisë nga të gjitha pretendimet territoriale ndaj territorit dhe kufijve të Kosovës dhe palët bien dakord për demarkacionin e kufirit në një periudhë dyvjeçare”, thuhet në nenin 2 dhe 3 të propozimit të Kurtit.

Këtë propozim të Kurtit në lidhje me Demarkacionin me Serbinë, e komentuan analistët për gazetën “Bota sot”.

Mehazi: Është për t’u përshëndetur prezantimi i denjë i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës në Bruksel

Njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi e mirëpriti këtë propozim të Kurtit.

Ai tha se plani i kryeministrit tonë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit është në mbrojtje të shtetësisë dhe territorit të Kosovës.

“Është për t’u përshëndetur prezantimi i denjë i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës në Bruksel, me dorëzimit të dokumentit kundërvënëse ndaj treshes ruse-serbo, Vuçiqit, Lajçakut dhe Borellit me anë të një ajke kushtetuese udhërrëfyese sekuencuese për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit të 27 shkurtit dhe të Aneksit të zbatimit të marrëveshjes së Ohrit të 18 marsit. Ku, përveç miratimit të Deklaratës për personat e zhdukur vlen të përmendet edhe pika e ruajtjes së shtetësisë së Kosovës ndaj shovinizmin serb të “srpska republikës” në Kosovë ku kryeministri Kurti nga BE-ja kërkon që Vuçiqi të heq dorë ndaj territorit dhe kufijve të Kosovës dhe se palët të bien dakord për demarkacionin e kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë në një periudhë dyvjeçare”, deklaroi analisti.

Image
Njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi

Sipas Mehazit, përfaqësuesit e BE-së dhe Vuçiqi, duhet ta kenë të qartë se përballë e kanë Kurtin, e që më nuk kanë mundësi të ‘luajnë’ me shqiptarët.

“Nëse serbët e errësuar dhe egërsuar nuk e kanë të qartë se Kosova nuk është e tyre, atëherë përse evropianët e “logjikshëm” të Brukselit, Borelli e Lajçaku mos ta kenë të qartë se nuk është koha e Berlinave e Londrave të luajnë si duan vetë me shqiptarët sidomos me Kosovën. Zotërinjtë e BE-së duhet ta dinë se tani kanë përballë Albin Kurtin që për nga intelegjenca politike është shumë larg retrogardistëve të matufosur serbë e evropianë, Vuçiq, Borrel e Lajçak që hapur shprehin dëshirat serbe ndaj Kosovës martire”, theksoi ai.

Krahas kësaj, analisti kritikoi ashpër qasjen e BE-së ndaj Serbisë, madje konsideron se ata nuk do e marrin parasysh planin e propozuar nga Kurti, në të cilin përfshihet edhe demarkimi i kufijve mes dy shteteve.

“Është e turpshme për BE-në të përkrahin Serbinë gjenocidiale e të jenë kundër Republikës së Kosovës. BE-ja e SHBA-ja shumë mirë e kuptojnë kryeministrin e Kosovës se ai as nuk sulmon Serbinë, e as nuk pretendon luftë, po mbron kushtetutën e shtetit të Kosovës. Po ja që veprimet e BE-së, Borrelit e Lajçakut, nuk japin shpresa se do të marrin parasysh planin sekuentues të dorëzuar nga Kurti për demarkacionin e kufijve me Serbinë, si vërehet Lajçaku dhe Borelli me veprimet e tyre anti-kosovare e pro-serbe më shumë janë për luftë sesa pë paqë në Kosovë”, nënvizoi Mehazi.

Ndër të tjera, ai kërkoi edhe largimin e Borrellit dhe Lajçakut nga kryesimi i dialogut Kosovë-Serbi.

Madje, përmendi edhe një variant tjetër, ku shqiptarët të hynë në luftë për të bërë demarkacionin e kufijve siç do vetë Kosova e jo si do shteti serb.

“Shkurt e qartë, takimi i fundit në Bruksel tregoi se BE-ja, Borelli, Lajçaku janë me Serbinë e Rusisë dhe se shqiptarët e Kosovës për shkak pakënaqësisë do jenë të detyruar të protestojnë, demonstrojnë pakënaqësi duke kërkuar dorëheqjen e pro-serbëve Borellit dhe Lajçakut, ose varianti tjetër që tërë shqiptarët të hynë në luftë për të bërë demarkacionin e kufijve siç do vetë Kosova e jo si do Serbia fashiste, terroriste e gjenocidiale.

Parola përfundimtare jo vetëm e kosovarëve, por edhe gjithë shqiptarëve anëekënd botes do jetë: “Poshtë përkrahësit e gjenocideve serbe Borelli dhe Lajçaku”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Preqi: Demarkacioni me Serbinë, do të ishte përmbyllja e një kapitulli kulminant dhe historik

Kurse, opinionisti Dedë Preqi në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se demarkacioni është një nga shumë çështjet që Kosova ende nuk e ka zgjidhur me Serbinë.

Image
Opinionisti Dedë Preqi

Ai përmendi edhe si është bërë demarkimi i kufijve me shtetet tjerë nga qeveritë e kaluara.

“Shteti i Kosovës, ka edhe shumë çështje të pa zgjidhura me Serbinë, të cilat janë të panumërta, ndër të tjera e ka edhe çështjen e demarkacionit me Serbinë, mbase me fqinjët tjerë e ka kryer, ashtu si e ka kryer, duke i falur me qindra hektarë tokë Maqedonisë veriore, ndërsa Malit Zi, i janë dhënë me qindra e qindra më shumë, për të cilat nuk kemi kujt t’i ankohemi, sepse njerëzit e qeverisë tonë nga qeveritë e kaluara janë pajtuar me i fal fqinjëve tokën e popullit të vet, vetëm për të përfituar një copë pushtet”, deklaroi opinionisti.

Preqi kërkoi kujdes me demarkacionin me Serbinë, pasi tha se mund të ketë përgatitur plane dinake.

“Lidhur me demarkacionin me Malin e Zi, është vënë re një pështjellim karakteristik pushtetar, që është shfaqur pa pëlqimin e popullit të Kosovës, mirëpo duhet pasur kujdes me demarkacionin me Serbinë, sepse kjo dhelpër tani më i ka të përgatitura planet dhe strategjitë e veta, që kishte me qenë mirë që të përfundohet sa më parë dhe njëherë e përgjithmonë mashtrimi i mitit serb mbi Kosovën, por e vërteta është kjo; Kosova është shtet i pavarur dhe sovran me kufijt e vet aktual të pranuar ndërkombëtarisht nga shumica e shteteve të botës, mu në krye me SHBA-të”, theksoi ai.

Opinionisti vlerëson se me propozimin e Kurtit për demarkim të kufijve, zyrtarizon largimin e pretendimeve serbe për territorin e Kosovës.

“Dhe kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, ka propozuar një plan sekuencimi për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, në kuadër të dialogut, ku në njërën nga pikat e propozimit është caktimi i kufirit me Serbinë, me një afat prej dy viteve, në mënyrë që Marrëveshja e zyrtarizon heqjen formale të Serbisë, nga gjitha pretendimet territoriale ndaj territorit dhe kufijve të Kosovës.

Pse të mos ndodh kjo gjë edhe pse Serbia, nuk e ka njohur Kosovën, duke ditur se shteti serb do ta vonojë me qëllim një çështje të tillë, sepse do t’i konvenonte edhe Vuçiqit, për të marrë kohë kjo çështje, megjithatë, ajo çka ne sot e shprehim, sikur në këtë rast kryeministri Kurti, Serbia do të karakterizohet me një ndjesi të mprehtë, që t’i japë formë të re kësaj çështje përmes ndryshimit të kufijve, por për fat nuk do ta ketë as mbështetjen e ndërkombëtareve dhe as të popullit shqiptar të Kosovës”, nënvizoi Preqi.

Në fund, shtoi se demarkimi i kufijve Kosovë-Serbi është i nevojshëm dhe do duhej të ndodhte sa më parë, pasi kështu do të dështonin planet serbe për ndarjen e Kosovës.

“Serbia, vijën kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë, e percepton si një vijë të thjeshtë kufitare administrative, ndërsa për shtetin e Kosovës, është diçka tjetër dhe shumë e rëndësishme, sepse kjo vijë kufitare është kufi ndërshtetëror, që përcakton vijën ndarëse të territoreve në mes dy shteteve, por kuptohet se Serbia, e ka një plan tjetër, që t’i marrë territor Kosovës, për shkak të pretendimeve që ka ndaj pasurive të saj nëntokësore.

Kryeministri Kurti, Demarkacionin në mes Kosovës dhe Serbisë, e ka paraqitur si pikë shumë të nevojshme, i cili akt duhet të ndodhë sa më parë, duke e mos pritur disponimin e Serbisë dhe të Vuçiqit, edhe pse Kosova, i ka të grabitura shumicën e dokumenteve të vjetra nga ish-Jugosllavia, por si pikë referimi do ta merrte Kushtetutën e vitit 1974, që sa do pak do të ishte baza mbi të cilën ka filluar procesi i pavarësimit të Kosovës, me kufijt e saj”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.