Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka komentuar kthimin e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës, iniciatores së kësaj nisme.
Deputeti i VV-së shprehu shpresën që sponsorizuesit e ligjit (PDK) të ndërmarrin sa më shpejt hapat e nevojshëm, në mënyrë që ligji të rikthehet dhe të miratohet në Kuvend.
Rrustemi tha se ligji mund të rivotohet me shumicë prej 61 votash, duke mbetur në versionin aktual, ose të nisë nga fillimi si nismë ligjore.
Rrustemi për Ligjin për Specialen: Shpresoj që sponzorizuesit ta nisin sa më parë dhe ta kalojmë sa më parë në Kuvend
“Proceduralisht, ky është refuzim i hyrjes në fuqi të ligjit. Në kuptimin procedural, Kuvendi aktualisht i ka dy opsione: ose ta rivotojë me shumicë prej 61 votash, të pandryshuar, ose ta kthejë nga fillimi. Shpresoj që sponzorizuesit ta nisin sa më parë dhe ta kalojmë sa më parë në Kuvend”, deklaroi Rrustemi.
Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara u propozuan nga Grupi Parlamentar i PDK-së, me Përparim Grudën që e prezantoi nismën në Kuvend. Projektligji u miratua në lexim të parë më 5 tetor me 91 vota, ndërsa më 6 tetor u miratua përfundimisht me 88 vota. Pas kësaj, më 22 tetor, presidentja Justina Shiroka Pula e ktheu ligjin në Kuvend për rishqyrtim, pas kërkesës së vetë PDK-së.
