Lajme

​Deputetja e PDK-së kërkon nisjen sot të procedurës për Ligjin për Dhomat e Specializuara

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu – Shoshi ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës ta nisë sot procedurën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Ajo ka shkruar në Facebook se, dërgimi i këtij projektligji nga Qeveria në Kuvend është hap i rëndësishëm, por tani përgjegjësia i takon Kuvendit.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë sot në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve”, ka shkruar Shoshi-Musliu.

Sipas saj, Kosovës i duhet edhe një strategji e koordinuar juridike dhe diplomatike, me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe për mbrojtjen e së vërtetës për luftën çlirimtare të UÇK-së.

Deputetja e PDK-së paralajmëroi se, nëse vendi shkon në zgjedhje pa e përfunduar këtë proces, mund të pamundësohet mbështetja institucionale për ish-krerët e UÇK-së.

“Kjo çështje është mbi partitë dhe mbi kalkulimet politike. Këtu nuk ka pozitë e opozitë. Ka interes shtetëror”, ka shtuar ajo.

Të premten, Qeveria e Kosovës i ka dërguar Kuvendit përgjigjen lidhur me nismën e Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Vendimi është marrë të premten, në një mbledhje elektronike të Qeverisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës me nr. Prot. 1108 të datës 23.09.2026, për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar’”, thuhet në njoftim e qeverisë.

Kërkesa e Kuvendit ishte adresuar më 23 shtator 2026.

Të Ngjashme