Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von Der Leyen, gjatë vizitës në Spanjë, foli për çështjen e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez, ajo tha se nuk mund të imagjinohet BE-ja pa BP.
“Nëse shkojmë përpara në vite dhe imagjinojmë se di do të duket Evropa. A mund ta imagjinojmë një BE pa Ukrainën, pa Moldavinë, pa Ballkanin Perëndimor, dhe këto pjesë të Evropës të jenë nën ndikimin e Rusisë dhe Kinës? E pamundshme”, deklaroi Der Leyen.
Sipas saj, drejtimi që BE-ja duhet ta marrë “është i qartë” .
“Tani duhet të nisim të mendojmë se si të sigurohemi që Evropa të jetë e plotë, që ato vende janë pjesë e BE-së”, u shpreh ajo.
Nga 1 korriku Spanja ka marrë udhëheqësinë e presidencës së Bashkimit Evropian, e që do ta mbajë deri në dhjetor të këtij viti.
Spanja mori presidencën e BE-së pas Suedisë, e cila qysh më 9 janar kishte nisur konsultimet me vendet anëtare lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Sa i përket Kosovës, ambasadori i Spanjës në Beograd, Raul Bartolome Molina, u shpreh se qëndrimi i vendit të tij është i qartë, Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por mbështet tentimet e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.