Aktuale

DETAJE TRONDITËSE nga vrasja në Athinë! BISEDA e Lulietës me të motrën para tragjedisë

Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për vrasjen e 45-vjeçares shqiptare Lulieta Obzova në Nea Smyrni të Athinës, ndërsa ekzaminimet mjeko-ligjore dhe pamjet e kamerave të sigurisë po ndihmojnë autoritetet të rindërtojnë momentet e fundit të saj.

Sipas të dhënave të hetimit, 50-vjeçari Altin Allmuça dyshohet se kishte mbërritur më herët pranë pallatit ku banonte viktima dhe e kishte pritur atë. Kur 45-vjeçarja hapi derën e hyrjes, ai dyshohet se hyri pas saj në ndërtesë.

Ngjarja ka ndodhur brenda pak sekondash. Sipas gjetjeve paraprake, Allmuça dyshohet se e ka goditur viktimën me shqelma, duke e rrëzuar në tokë. Më pas i ka drejtuar armën.

45-vjeçarja dyshohet se ka ngritur duart në përpjekje për t’u mbrojtur, ndërsa plumbi i parë nuk e ka goditur. Më pas, autori dyshohet se e ka tërhequr zvarrë për rreth një metër dhe e ka qëlluar në kokë, duke i shkaktuar vdekjen.

Pas krimit, 50-vjeçari ka kthyer armën ndaj vetes dhe ka vrarë veten.

Në hetim janë edhe pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat dyshohet se kanë regjistruar lëvizjet e Allmuçës përpara ngjarjes dhe mbërritjen e tij në zonën e Nea Smyrnit.

Viktima kishte rrëfyer frikën nga ish-partneri

Sipas dëshmive të familjarëve, 45-vjeçarja i kishte treguar motrës se kishte vendosur t’i jepte fund marrëdhënies për shkak të xhelozisë së partnerit.

Ajo dyshohet se kishte thënë se ai vazhdonte të këmbëngulte edhe pas ndarjes dhe se ndihej e frikësuar prej tij.

Në fokus të hetuesve janë tashmë edhe telefoni dhe pajisjet elektronike të 50-vjeçarit, me shpresën për të gjetur komunikime apo të dhëna që mund të ndihmojnë në zbardhjen e marrëdhënies mes tyre.

Ndërkohë, bashkëshortja e Allmuçës ka dëshmuar se gjatë 18 muajve të fundit kishte vënë re ndryshime në sjelljen e tij. Sipas saj, ai mungonte shpesh në shtëpi dhe në disa raste flinte jashtë, pa i treguar se ku ndodhej.

Para se të largohej nga banesa ditën e krimit, 50-vjeçari dyshohet se i la bashkëshortes 1 mijë euro dhe i kërkoi t’i mbante.

Hetuesit po verifikojnë tashmë të gjitha lëvizjet e tij dhe provat e mbledhura, për të rindërtuar me saktësi minutat para vrasjes dhe për të përcaktuar motivin e plotë të krimit.

Të Ngjashme