Lajme

Diskriminimi i shqiptarëve në Luginë, Hasani: Kosova dhe Shqipëria kanë obligim të veprojnë

Derisa 28 Nëntori shënon bashkimin shpirtëror të shqiptarëve, realiteti politik në rajon vazhdon të karakterizohet nga sfida të shumta për shqiptarët që jetojnë jashtë Kosovës dhe Shqipërisë. Në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, çështjet e përfaqësimit politik, përdorimit të gjuhës shqipe, të drejtave kombëtare dhe zhvillimit ekonomik vazhdojnë të mbeten shqetësime të rëndësishme.

Për këtë situatë dhe për rolin që duhet të kenë Prishtina e Tirana në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në këto treva, ka folur për “Bota sot” profesori nga Presheva, Refik Hasani. Ai vlerëson se mungon koordinimi ndërmjet dy qendrave politike shqiptare dhe kërkon një angazhim më të madh institucional, diplomatik dhe kombëtar.

“Përfaqësuesit politikë të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare, ende nuk po arrijnë të koordinohen të përfaqësojnë njëmend Krahinën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Shqiptarët e këtyre tri komunave kanë mbetur sikur të mos ishin të askujt e mos të flasim për ndonjë koordinim, harmonizim të qëndrimeve apo ndonjë platformë dhe strategji.

Edhe në festa është e harruar nga Prishtina e Tirana zyrtare, sepse dikush nga dy Parlamentet dhe Qeveritë ka obligim moral, institucional e kushtetues të gjendet dhe të përjetojë se si festohet edhe në këtë Krahinë. Festa e Flamurit, Dita Kombëtare e Mësuesit, festa e fillimit të ri shkollor, por edhe festat e Abetares, ndërrimi i vitit të ri dhe shënime të tjera, dy Presidentët, Kryeministrat dhe Kryeparlamentarët do të duhej të gjenin kohë dhe të vizitonin këto tri komuna.

Jo vetëm të vizitojnë, por edhe të ndajnë mjete të rregullta për arsim, shkencë e në sfera të tjera. Kur kjo Krahinë shqiptare harrohet edhe për festa nga Prishtina e Tirana zyrtare, deri sa harrohet nga këto dy qendra – a thua për këso festa kujt do t’i bie ndërmend për nder të festës së ndërrimit të motmotit, festës së Flamurit shqiptar e në përkujtim të heroit tonë kombëtar Skënderbeut të vizitojë Krahinën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Fryma shqiptare nuk mbrohet vetëm në Tiranë, Shkup e Prishtinë e gjetiu, por edhe në çdo cep të Komunës së Preshevës, Medvegjës, Bujanocit dhe hapësirave të tjera etnike shqiptare”, shprehet Hasani.

Ai thotë se shqiptarët në këto tri komuna vazhdojnë të përballen me diskriminim në shumë fusha të jetës, duke përfshirë përfaqësimin institucional, përdorimin e gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare, si dhe zhvillimin ekonomik.

“Sfidat me të cilat përballet sot Krahina e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, në mbrojtje të kauzës së vullnetit, janë të shumta, vazhdojmë të përballemi dhe ballafaqohemi me diskriminim në Polici – zinxhirin komandues, në përfaqësim në institucione lokale dhe qendrore të Republikës së Serbisë, në përdorimin e Gjuhës Shqipe, të Simbolit Kombëtar, Shëndetësi, Administratë Tatimore, ka diskriminim edhe në kulturë, në informim, në investime të zhvillimit ekonomik, diskriminim edhe në pasivizimin e adresave – një pastrim etnik i heshtur.

Sfidat vazhdojnë se statusi politik i kësaj Krahine shqiptare, të mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë, nuk është zgjidhur ende, përkundër vullnetit plebishitar të kësaj Krahine, Referendumin e datës 1 e 2 Mars 1992, dhe kryengritjes së armatosur UÇPMB-së, që mbrojti pragun, dinjitetin dhe identitetin e kësaj Krahine, por edhe arritjes së Marrëveshjes së Konçulit.

Mungon liria e lëvizjes, një pasiguri në mesin e qytetarëve të kësaj krahine, dhe kemi një militarizim të lartë në këtë Rajon me arsenal të lartë dhe të ndryshme të armatimeve luftarake që janë në gatishmëri, është për të krijuar panik e dro, pasiguri, për të mbjellë frikë e psikozë. Serbia i ka shtuar forcat e armatosura dhe shërbimet e inteligjencës, kështu aktualisht pas 24 viteve, janë 48 MINIBAZA në Zonën Tokësore të Sigurisë, kemi militarizim të lartë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Shqiptarët në Serbi jetojnë në kushte diskriminimi klasik, është demotivim për rini dhe kuadrot e shkolluara, duke iu ekspozuar frikës, urrejtjes, militarizimit, nën tendenca të vazhdueshme për shpërngulje, migrim e asimilim”, deklaron Hasani.

Sa i përket përfaqësimit politik të shqiptarëve në institucionet e Serbisë, Hasani propozon që atyre t’u garantohen vende të rezervuara në Kuvendin e këtij shteti. Ai vlerëson se përfaqësimi aktual nuk siguron vazhdimësi dhe se të drejtat individuale e kolektive duhet të garantohen edhe me Kushtetutën e Serbisë.

“Mendoj se zgjidhja më e drejtë është që shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, dhe gjithëandej Serbisë, të jenë të përfaqësuar duke iu garantuar me 10 vende-ulëse të rezervuara në Parlamentin e Republikës së Serbisë.

Na takon të përfaqësohemi me vende të rezervuara, sepse ne, shqiptarët në këtë Krahinë, kemi mbajtur edhe Referendumin e datës 1 e 2 marsit 1992, kemi organizuar luftën përmes Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc (UÇPMB), ishte një kryengritje e armatosur kundër pushtetit diskriminues të Serbisë dhe është arritur Marrëveshja e Konçulit, nën prezencën, monitorimin dhe garancitë e faktorit politik dhe ushtarak ndërkombëtar.

Arsyetim tjetër i bazuar është se gjithë legjislaturat e ndryshme të Parlamentit të Serbisë, që nga përfundimi i luftës së UÇPMB-së, përfaqësohemi herë me një deputet, apo herë mbetemi pa asnjë deputet-përfaqësues në Parlament. Edhe në Kushtetutën e Serbisë do të duhej të zënë vend të drejtat individuale dhe kolektive për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, dhe që Parlamenti i Serbisë do të duhej të funksiononte si Parlament DY DHOMËSH.

Në Serbi gjithnjë e më shumë po hasen, janë shkruar pankarta me mbishkrimet ku shprehet gjuha e urrejtjes dhe kërcënimet e hapura publike ndaj neve shqiptarëve. Aktivitetet që po manifestohen kanë marrë hov dhe janë krijuar si dukuri në rritje, janë shndërruar në përditshmëri fyerje, ofendime, si ‘Vdekje shqiptarëve’, ‘shiftari poshtë’, ‘shiftart do t’i vrasim’. Kryeministri, Presidenti dhe Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë do të duhej t’i dënojnë këto akte, të reagojnë në bazë të akteve dhe konventave të BE-së dhe atyre ndërkombëtare dhe të nxirret një deklaratë dhe një NOTË PROTESTE”, thekson ai.

Hasani shpreson që institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë të ndryshojnë qasjen ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, si dhe të ndërmarrin hapa konkretë për mbështetjen e tyre.

“Nga legjislatura e Parlamentit të Shqipërisë dhe nga legjislatura e Parlamentit të Kosovës na mban shpresa, do të ndërrojnë më në fund diskursin e mbajtur ndaj Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Duke e ndërruar diskursin e ndjekur në raport me Preshevën, Medvegjën, Bujanocin, Krahinën e Sanxhakut dhe shqiptarët gjithëandej Serbisë, instancat më të larta dhe liderët institucionalë të Shqipërisë do të zbatojnë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë në fuqi, shprehimisht: Neni 8, paragrafi 1: Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.

Edhe takimi i qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës do të duhej të prodhonte efekte pozitive dhe krijimin e një fondi të përbashkët për shqiptarët në Serbi. Do të duhej të hapej një universitet shtetëror në gjuhën shqipe dhe Instituti për ruajtjen e trashëgimisë kulturo-historike, në mbështetje të kësaj krahine, dhe jam për realizimin e iniciativës për mbajtjen e një konference të donatorëve, ku do të grumbulloheshin mjete për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Për hapjen e një zyre në kuadër të Zyrës së Kryeministrisë së Kosovës, për hapjen e qendrave të informimit dhe zyrave ndërlidhëse edhe në Bruksel dhe qendra të tjera në BE. Mbi të gjitha, kjo krahinë nuk e ka të zgjidhur statusin politik, pengesë e të gjitha zhvillimeve”, shprehet Hasani.

I pyetur nëse Kosova dhe Shqipëria po e shfrytëzojnë mjaftueshëm ndikimin e tyre diplomatik për t’i ngritur këto çështje në arenën ndërkombëtare, Hasani thotë se angazhimi i tyre deri më tani nuk ka qenë i mjaftueshëm.

“Përgjigjja e plotë është jo, pasi jo vetëm munden, por kanë obligim moral, institucional e kombëtar të ngrenë, shtrojnë e paraqesin për debatim, në adresimin e çështjeve në BE dhe OKB, diskriminimin që po na bëhet në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, në të gjitha segmentet e jetës.

Deri më tani ju ka munguar vullneti dhe gatishmëria t’u dalin në mbrojtje shqiptarëve të kësaj Krahine shqiptare. Kosova dhe Shqipëria asnjëherë nuk i kanë kërkuar me ngulm dhe nuk i kanë bërë duke parashtruar Serbisë pas përfundimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe Marrëveshjes së Konçulit, që Serbia të kthejë Lapidarin e UÇPMB-së, na mungon Universiteti në gjuhën Shqipe, rregullimi me Ligj i përdorimit të Simbolit tonë Kombëtar shqiptar, Flamurit dhe përfaqësimi proporcional në instanca dhe mekanizma të nivelit lokal dhe qendror, në Preshevë dhe vendosja e Shtatores së Skënderbeut në qendër të Bujanocit, të ndalë dëbimin, diskriminimin dhe të lejojë realizimin e Referendumit”, përfundon Hasani.

Të Ngjashme