Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Donald Trump akuzohet për rastin e dokumenteve të klasifikuara

Akuzat përfshijnë konspiracion, deklarata të rreme dhe mbajtje të paligjshme të dokumenteve të klasifikuara, thotë avokati i Trump.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump është akuzuar për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë.

Trump, 76 vjeç, përballet me shtatë akuza, duke përfshirë mbajtjen e paautorizuar të dosjeve të klasifikuara, raportojnë mediat amerikane. Akuzat nuk janë ende publike.

Është aktakuza e dytë e zotit Trump dhe padia e parë federale e një ish-presidenti, transmeton teve1.info

Ai po bën fushatë për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.

Ekspertët ligjorë thonë se aktakuza nuk do të kufizojë aftësinë e zotit Trump për të kandiduar sërish për presidencën.

Në një postim në Truth Social të enjten, Trump tha se ishte i pafajshëm dhe ishte thirrur të paraqitej në një gjykatë federale në Miami, Florida, të martën pasdite, ku do të arrestohet dhe do të dëgjojë akuzat kundër tij.

“Asnjëherë nuk e kam menduar se ishte e mundur që një gjë e tillë t’i ndodhte një ish-presidenti të Shteteve të Bashkuara”, ka shkruar ai.

Ai shtoi: “Kjo është me të vërtetë një ditë e zezë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi një vend në rënie serioze dhe të shpejtë, por së bashku do ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe!”

Avokati i zotit Trump, Jim Trusty tha për CNN se ish-presidenti kishte marrë detaje të akuzave në një dokument thirrjeje.

Ai tha se ato përfshijnë konspiracion, deklarata të rreme, pengim të drejtësisë dhe mbajtje të paligjshme të dokumenteve të klasifikuara sipas ligjit të spiunazhit.