Është dorëzuar të enjten zyrtarisht kërkesa për shkarkimin e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, pas deklaratave të saj lidhur me spastrimin etnik të shqiptarëve në vitet ’90, ka bërë të ditur deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Nisma është ndërmarrë nga Grupi Parlamentar Lëvizja e Qytetarëve të Lirë – SDA e Sanxhakut dhe Partia për Veprim Demokratik, ndërsa është mbështetur edhe nga deputetë të tjerë të opozitës.
“Kryeministri ka përgjegjësi politike dhe institucionale të reagojë dhe të dëshmojë se në Qeverinë e Serbisë nuk ka vend për një ministre që mbron idetë e dëbimit të njerëzve mbi bazën e përkatësisë së tyre kombëtare dhe që promovon veprime jashtë ligjit dhe procedurave gjyqësore”, ka shkruar ndër të tjera ai.
Nëse Gjuro Macut refuzon të propozojë shkarkimin e saj, Kamberi ka thënë se, ai do të marrë përgjegjësinë për vazhdimin e mandatit të saj në këtë funksion dhe për normalizimin e një politike të tillë brenda Qeverisë së Serbisë.
“Fatkeqësisht, iniciativën tonë nuk e kanë mbështetur partitë e pakicave nacionale, të cilat janë pjesë e qeverisë. Pra, shkarkimin e ministres Paunoviq nuk e kanë përkrahur as partia boshnjake e Zukorliqit, as partia boshnjake e Lajiqit dhe as partia hungareze e Pastorit!”
Siç raportoi KosovaPress, Paunoviq ka deklaruar të shtunën për televizionin serb “Kurir” se po të kishte pasur lirinë e veprimit që kishte Slobodan Milosheviq, në vitin 1999, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Deklaratat e saj kanë nxitur reagime në Kosovë, rajon e BE.
Ministri në detyrë në Qeverinë e Kosovës, Andin Hoti, ka reaguar duke e krahasuar atë me ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq, dhe duke thënë se çdo tentativë për spastrim etnik në Kosovë do të kishte të njëjtin përfundim.
Sipas tij, kushdo që bën thirrje për spastrim etnik nuk përbën vetëm kërcënim për Kosovën, por dëshmon se Serbia ende nuk është shkëputur nga, siç e quan ai, “ideologjia gjenocidale e Millosheviqit” dhe nga politika që solli luftëra, masakra dhe “turp historik”.
Reagim pati edhe Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës (IKKL), i cili theksoi se deklarata e ministres serbe rikthen në vëmendje diskursin që lidhet me politikat përgjegjëse për luftën, spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit në Kosovë.
Sipas IKKL-së, krimet e kryera gjatë viteve 1998–1999 janë trajtuar në procese gjyqësore ndërkombëtare, ku zyrtarë të lartë politikë, ushtarakë dhe policorë të regjimit të Millosheviqit janë shpallur fajtorë. Instituti vlerëson se përballja me të kaluarën, pranimi i krimeve dhe kërkimfalja institucionale mbeten parakushte për ndërtimin e besimit dhe paqes së qëndrueshme në rajon.
Ndërkaq opozita serbe ka kërkuar shkarkimin e Paunoviqit nga detyra e ministres.
Ishte Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG), parti opozitare në Serbi, që kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të saj, duke e cilësuar deklaratën e saj si gjuhë të urrejtjes dhe një mbështetje të hapur për persekutimin mbi baza etnike.
Sipas kësaj partie, një zyrtare që justifikon dëbimin e njerëzve për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare nuk mund të ushtrojë funksion në Qeverinë e Serbisë. PSG vlerëson se deklarata bëhet edhe më shqetësuese për faktin se vjen nga ministrja përgjegjëse për administratën shtetërore dhe vetëqeverisjen lokale, institucion që duhet të garantojë trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët dhe zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve.
