Për zonën që përfshinte Prishtinën dhe Podujevën, e që më vonë do të njihej si Zona e Llapit, Zyra e Prokurorit të Specializuar thotë se gjatë viteve 1996-1997 u intensifikuan veprimet e UÇK-së. Sipas tyre, vrasjet e bashkëpunëtorëve të pretenduar e shumë veprime të UÇK-së, u pasqyruan në komunikata gjatë kësaj periudhe.
Dosja përfundimtare e Prokurorisë në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, pretendon se pas vdekjes së Zahir Pajazitit në fund të ’97-ës, Rrustem Mustafa i njohur si Remi, i ndihmuar nga disa persona duke përfshirë edhe Latif Gashin i njohur si Lata ose Fati, e morën përsipër organizimin e njësive të UÇK-së në këtë zonë, por duke mbajtur kontakte me Shtabin e Përgjithshëm e në veçanti me Selimin.
Prokuroria pretendon se nga marsi i vitit 1998, zhvillimi i njësive të UÇK-së në Zonën e Llapit u intensifikua nën udhëzimin gjithnjë e më të madh të Shtabit të Përgjithshëm si dhe Bisilm Zyrapi me disa persona duke përfshirë edhe Kadri Kastratin e njohur si ”Daja” u caktuan që ta ndihmonin Remin, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në maj të ’98-ës, thuhet që në këtë zonë u krijua njësia BIA e njohur ndryshe edhe si “Skifteri”, dhe që Salih Mustafa i njohur me nofkën Cali u vu në krye të saj.
Sipas Prokurorisë, kjo strukturë kishte për detyrë mbledhjen e informacioneve të inteligjencës në zonën e Prishtinës dh më vonë në Podujevë, e që i raportonte Remit dhe Latës.
Kjo zonë, sipas Prokurorisë, vazhdoi të konsolidohet dhe se zyrtarisht Remi ishte emëruar si komandant zone në gusht të ’98-ës gjatë një vizite të Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit dhe Bisilm Zyrapit në Bajgorë. Ndërsa, Kastrati thuhet se u emërua si zëvendës i tij.
Gjatë së njëjtës vizitë, pretendohet se Fadil Syleviq i perceptuar si bashkëpunëtor i Serbisë, u ndalua në Bajgorë së bashku me një person tjetër.
Lata thuhet se drejtoi sektorin e inteligjencës që nga vera e 1998-ës si dhe ishte komandant de facto i Policisë Ushtarake.
Përveç kësaj, thuhet se me rekomandimin e Remit, Shtabi kishte emëruar Nuredin Ibishin i njohur me nofkën Leka dhe Idriz Shabanin i njohur si Luta, komandantë të Brigadave 151 dhe 152, ndërsa Komanda e Zonës emëroi komandantët e batalioneve dhe kompanive.
Ibishi më pas thuhet se ishte ngritë në detyrë si Shef i Shtabit, gjë që u formalizua nga Shtabi i Përgjithshëm në dhjetor të vitit 1998.
Në këtë zonë, sipas Prokurorisë, personat që perceptoheshin si kundërshtarë, identifikoheshin, arrestoheshin, ndaloheshin dhe keqtrajtoheshin në vende ndalimi të vendosura në seli të ndryshme në Llap.
“Konkretisht, të ndaluarit mbaheshin në: (i) Bare dhe Bajgorë, ku komanda kishte selinë nga korriku deri në mesin e shtatorit 1998; (ii) Llapashticë; ku Shtabi i Zonës u vendos përfundimisht nga tetori 1998; dhe (iii) Majac dhe Potok, ku të ndaluarit u transferuan drejt fundit të marsit 1999 kur selia e zonës duhej të zhvendosej nga Llapashtica. Kishte gjithashtu qendra ndalimi në vende të tjera të Zonës së Llapit, përfshirë Bradashin dhe Buricën, ku ishin të vendosura Brigadat 151 dhe 152”, thuhet në dosje.
Tutje, në dosje thuhet se personeli i Policisë Ushtarake dhe i shërbimeve të inteligjencës vazhdoi të bashkëpunonte ngushtë gjatë fundit të vitit 1998 dhe në vitin 1999 në identifikimin, arrestimin dhe ndalimin e kundërshtarëve.
Për këtë qëllim, thuhet se Nazif Mehmeti i njohur si Dini u emërua zëvendëskomandant i Policisë Ushtarake në tetor 1998. Ai thuhet se i raportonte komandës së zonës, konkretisht Latif Gashit dhe Remit.
Aty thuhet se njësitë e Mbrojtjes Territoriale (ose Mbrojtja Civile), të krijuara në verën e vitit 1998 nën komandën e Muhamet Latifit, ishin përgjegjëse për organizimin e njerëzve dhe njësive prapa vijave të frontit të UÇK-së. Ato pretendohet gjithashtu mblidhnin informacione për kundërshtarët dhe ia përcillnin ato komandantëve të brigadave, Policisë Ushtarake dhe Komandës së Zonës, gjë që shpesh çonte në arrestimin dhe ndalimin e tyre.
Prokuroria pretendon se në tetor 1998, Remi deklaroi se mendonte që vendimi i Shtabit të Përgjithshëm për armëpushim ishte i nxituar dhe jo i menduar mirë, por se, megjithatë, ai dhe vartësit e tij e respektonin atë vendim.
Tutje, pretendohet se në janar 1999, Krasniqi dhe Zyrapi po vizitonin selinë e Zonës Operative të Llapit kur u njoftuan për ndalimin e tetë policëve ushtarakë serbë në Zonën e Shalës dhe shkuan menjëherë atje me ndihmën e Mustafës.
Përveç kësaj, Prokuroria pretendon se Mustafa dhe Komanda e Zonës së Llapit bashkëpunonin ngushtë me drejtuesit e Zonave të Shalës dhe Karadakut. Anëtarë të Komandës së Zonës së Karadakut u vendosën përkohësisht në Zllash së bashku me njësinë BIA dhe Brigadën 153 të Zonës së Llapit, e cila u formua zyrtarisht në shkurt 1999 nën komandën e Adem Shehut dhe se ushtarët e këtyre zonave stërviteshin dhe luftonin së bashku.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se në fund të prillit 1999, sipas udhëzimeve të Kryeministrit të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës (QPK), Hashim Thaçit, Komanda e Zonës së Llapit krijoi Gardën Kombëtare, e njohur edhe si Batalioni i Pestë.
Sipas tyre, kjo njësi komandohej nga Ajet Potera, i cili raportonte te Komanda e Zonës së Llapit, përfshirë Mustafën. Për t’u bërë pjesë e Gardës Kombëtare, thuhet se kërkohej të ishe anëtar i UÇK-së dhe zakonisht përzgjidheshin ushtarët më të njohur të zonës.
Po ashtu, pretendohet se më 11 qershor 1999, pas Marrëveshjes së Kumanovës dhe tërheqjes së forcave serbe, Mustafa dhe Komanda e Zonës së Llapit hynë në Prishtinë së bashku me Gardën Kombëtare të Llapit. Kjo komandë sipas Prokurorisë u vendos në lagjen Kolovicë dhe ruhej nga pjesëtarë të Gardës Kombëtare, ndërsa pjesëtarë të tjerë u vendosën në Tokbashqe.
Gjatë verës së vitit 1999, sipas pretendimeve të Prokurorisë, anëtarë të Gardës Kombëtare kryen krime në Tokbashqe, ndërsa pjesëtarë të tjerë të UÇK-së kryen krime në Kolovicë, Taslixhe dhe zonat përreth.
Pas luftës, Prokuroria thotë se Latif Gashi, ish-shef i inteligjencës së Zonës së Llapit, u bë Drejtor i Përgjithshëm i SHIK-ut nën udhëheqjen e Kadri Veselit. Ndërsa, Rexhep Selimi, si Ministër i Rendit Publik, emëroi Nuredin Ibishin, ish-Shef i Shtabit të Zonës së Llapit, në pozitën e Shefit për Rendin Publik. Muhamet Latifi u bë Komandant i Policisë Ushtarake të Zonës së Llapit.
“Betimi për Drejtësi” do të raportojë mbi detaje të tjera të dosjes përfundimtare të Prokurorisë në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ndryshe, fjala përmbyllëse e Prokurorisë filloi të hënën e 9 shkurtit 2026, dhe përfundoi një ditë më pas, më 10 shkurt, ku kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, kërkoi dënim unik me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit. Po më 10 shkurt u dha fjala përfundimtare edhe nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.
Ndërsa, më 11 shkurt 2026, dha fjalën e tij përfundimtare mbrojtja e Hashim Thaçit dhe e filloi mbrojtja e Veselit, e vazhdoi edhe më 12 shkurt. Po atë ditë e nisi fjalën përfundimtare mbrojtja e Selimit dhe e përfundoi me 13 shkurt, datë në të cilën më pas i nisi deklarimet mbrojtja e Krasniqit. Kjo e fundit përfundoi deklaratat përmbyllëse më 16 shkurt, seancë e cila vazhdoi me pyetjet e trupit gjykues dhe përgjigjet e mbrojtjes dhe Prokurorisë.
Ndërsa, me 18 shkurt dhanë fjalën e tyre të akuzuarit. Hashim Thaci tha se i vetmi pushtet që kishte ishte ai i zërit të tij dhe se UÇK-ja nuk ishte shteti, ishte organizim popullor për mbrojtje nga agresori. Kurse, Kadri Veseli tha se nuk ka asnjë provë që tregon se ai ka kryer krim dhe se e ka ndërgjegjen e pastër.
Gjatë fjalës së tij, Rexhep Selimi tha se akuzat ndaj tyre janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta si dhe janë përpjekje për të njollosur luftën e tyre. Përveç kësaj, ai tha se shpreson që drejtësia do i kthej në atdhe.
Kurse, Jakup Krasniqi u shpreh se i është mohuar e drejta për liri si një njëri në fazën e fundit të jetës. Ai shtoi se ka kaluar rreth 16 vjet burg vetëm se luftoi për popullin e tij. Veç kësaj, Krasniqi tha se “nëse dashuria për liri gjykohet si krim, atëherë vetë historia do të dënohet”.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
