Lajme

“Duhen kushte më të mira”, qytetarët japin mendime të ndryshme për tarifat e reja të autobusëve urban në kryeqytet

Biletat e transportit publik urban në Prishtinë janë shtrenjtuar nga dita e djeshme.

Me tarifat e reja, bileta njëdrejtimëshe në formë fizike do të kushtojë 0.80 euro, ndërsa në formë digjitale ose përmes SMS-së 0.60 euro. Bileta ditore do të kushtojë 1.20 euro në versionin fizik dhe 1 euro në atë digjital.

Po ashtu, bileta javore do të jetë 6 euro (fizike) dhe 5 euro (digjitale), ndërsa bileta mujore 18 euro në formë fizike dhe 14.50 euro në formë digjitale.

Lidhur me vendimin për shtrenjtim të biletave qytetarët në kryeqytet kanë dhënë mendime të ndryshme.

Një qytetar ka thënë për Ekonomia Online se kryetari i kryeqytetit duhet t’i llogarisë mirë këto vendime.

“Këto mendoj që duhet me i llogarit ai që, kryetari komunes me një fjalë, para se të merret një vendim, duhet llogaritet aty edhe të ardhurat, hyrje-dalje domethënë duhet të përballohet”, tha ai.

Ai tha se nuk udhëton me autobusët e Trafikut Urban, por ata që udhëtojnë duhet të flasin për këtë.

 “Unë për veti banoj në qendër, kështu që nuk e përdori kurrë, kshtu që për tjerët ça bëjnë nuk e di, po mendoj që për këtë punë duhet me u deklaru ata të cilët udhëtojnë përditë”, shtoi ai.

Ndërsa, qytetari Bahti Shabani thotë se edhe pse çmimi i biletave është rritur për të nuk ka ndonjë problem, por shton se do ishte më mirë të kishte më shumë hapësirë në autobusë.

 “E përballueshme, se edhe këtu koston e kanë me të madhe, tash përgjithësi është rritë rroga minimale janë rritë do shpenzime, do kushte. Edhe pse është rritë çmimi, do kishte qenë më mirë pak më efikas me punu kjo me autobusat, autobusa me të gjatë me pas më shumë vend për udhëtar”, tha ai.

Shabani tha se nevojiten kushte më të mira dhe se çmimi nuk është problem.

 “Linja po por nuk po ka vend, s’po ka vend. Disa autobusë si treshi, katërshi pa marrë parasysh sidomos kohen e punës në mëngjes ose në mesditë, është plot gjithmonë janë. E sa i përket çmimit për mua nuk është problem diçka, e meritojmë. Veç qe efikasitet me punu pak me shumë me, kushte me të mira për udhëtarët qe janë për çdo ditë”, shtoi ai.

Iljami Maqastena, tha se nuk është ndonjë lloj shtrenjtimi, por për të moshuarit kjo paraqet problem.

“E pash komunikatën e Komunës, përkatësisht Kryetarit të Komunës lidhje me digjitalizimin e biletave. Edhe këtë lloj shtrenjtimi, nuk është një lloj shtrenjtimi kumedit sa i madh, por është problem pak për të moshuarit, për ata të cilët nuk janë akoma në pension nuk e di se si dinë ata me u inkoporu në këtë sistem, problem. Ka linja të mjaftueshme, mendoj trafiku është mjaft i shpejtë. Edhe janë linja të rregullta, i respektojnë oraret”, tha ai.

Ndryshime janë bërë edhe për linjën e Aeroportit, ku bileta fizike do të kushtojë 6 euro, ndërsa ajo digjitale 5 euro.

Komuna ka bërë të ditur gjithashtu se bileta vjetore digjitale do të kushtojë 150 euro, ndërsa bileta korporative vjetore digjitale, e dedikuar për bizneset me 20 ose më shumë punëtorë, do të kushtojë 120 euro.

Sipas Komunës së Prishtinës, ndryshimet synojnë të inkurajojnë përdorimin e formave digjitale të pagesës dhe të zgjerojnë procesin e digjitalizimit të transportit publik në kryeqytet.

Të Ngjashme