Aktuale

Dy viktima në Vaun e Dejës/ DINAMIKA e ngjarjes: Ambulanca e zonës ishte me defekt, ajo e Shkodrës u vonua!

Sipas QKUM, ngjarja përfshiu dy raste të veçanta, të dyja si pasojë e goditjes nga rryma elektrike, të ndodhura në momente të ndryshme.

Rasti i parë u raportua si urgjencë për goditje elektrike. Në vendngjarje ndodhej një infermiere e zonës, e cila kishte nisur menjëherë manovrat e reanimimit kardiopulmonar, por pa mundur të rikthente qarkullimin spontan.

Sipas të dhënave të regjistruara në sistemin e urgjencës, telefonata për ndihmë është marrë në orën 18:03. Në atë moment, ambulanca e Vaut të Dejës ishte jashtë funksionit për shkak të një defekti teknik.

Për këtë arsye, drejt vendngjarjes u nis ambulanca nga Spitali i Shkodrës, e cila mbërriti në orën 19:44. Manovrat e reanimimit vijuan edhe gjatë transportit drejt Spitalit të Shkodrës, por pavarësisht përpjekjeve të personelit mjekësor, nuk u arrit rikthimi i qarkullimit spontan dhe pacienti humbi jetën.

Rasti i dytë lidhet me elektricistin, i cili disa minuta më vonë kishte shkuar në vendngjarje për të ndërhyrë në problemin elektrik. Gjatë ndërhyrjes, edhe ai u godit nga rryma dhe humbi jetën.

Për këtë rast, kërkesa për ndihmë mjekësore u regjistrua në orën 18:53. Sipas QKUM, në vlerësimin fillestar personi rezultonte pa shenja jete.

Ambulanca e dytë nga Shkodra u nis drejt vendngjarjes dhe mbërriti në orën 19:54. Rasti u konstatua dhe u referua si “Kod i Zi” në vendngjarje.

QKUM thekson se goditja elektrike përbën një urgjencë mjekësore me rrezik të lartë për jetën dhe, në rastet e rënda, mund të shkaktojë arrest kardiak dhe vdekje të menjëhershme.

Në njoftimin e saj, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore shpreh keqardhjen për humbjen e dy jetëve dhe ngushëllimet për familjarët e viktimave.

“Përtej çdo sqarimi institucional, kjo mbetet para së gjithash një ngjarje tragjike, e cila solli humbjen e dy jetëve njerëzore”, thuhet në reagimin e QKUM.

Të Ngjashme