Aktuale

E ekzekutuan në mes të rrugës, më pas u kthyen për ta qëlluar sërish! Zbardhet atentati mafioz në Athinë ndaj “Papagallit”, në kërkim shqiptari

Një shqiptar nga Saranda është shpallur në kërkim nga autoritetet greke, pas zhvillimeve të reja në hetimet për ekzekutimin e një 52-vjeçari në Athinë, i njohur për lidhjet e tij të dyshuara me botën e krimit.

Viktima është Niko Gavanozi, i njohur me nofkën “Papagalli”, i cili u vra më 11 tetor 2026 në zonën e Glifadës, në një atentat që dyshohet se ishte planifikuar me kujdes.

Pas analizimit të pamjeve filmike, provave materiale dhe lëvizjeve të personave të dyshuar, policia greke ka arritur të rindërtojë dinamikën e krimit.

Në pranga ka përfunduar një shtetas grek 48-vjeçar, ndërsa është shpallur në kërkim Eduart Qendrothanasi, i njohur edhe si Stamatis Qendrothanasi, me origjinë nga Saranda.

Sipas hetuesve, shqiptari dyshohet se drejtonte motoçikletën me të cilën autorët iu afruan viktimës dhe u larguan pas ekzekutimit.

Detajet e zbuluara nga hetimet tregojnë një skenar të dhunshëm.

Më 11 tetor, Niko Gavanozi po udhëtonte me motoçikletën e tij në zonën e Glifadës, kur dy persona që lëviznin me një tjetër motor iu afruan.

Në një moment, pasagjeri i motoçikletës hapi zjarr disa herë në drejtim të 52-vjeçarit.

I goditur nga plumbat, Gavanozi humbi kontrollin e mjetit dhe u rrëzua në asfalt.

Por autorët nuk u larguan menjëherë përfundimisht nga vendngjarja.

Sipas rindërtimit të policisë, ata u kthyen pranë viktimës dhe qëlluan sërish në drejtim të tij, përpara se të zhdukeshin me shpejtësi.

Në vendin e krimit, ekspertët kriminalistë gjetën 10 gëzhoja, ndërsa ekzaminimi mjekoligjor konfirmoi se vdekja ishte shkaktuar nga plagët e shumta me armë zjarri.

Mënyra e realizimit të sulmit ka ngritur dyshime se bëhej fjalë për një ekzekutim të organizuar.

Pas atentatit, autorët dyshohet se kanë ndjekur një itinerar të përcaktuar për të shmangur identifikimin.

Ata janë drejtuar drejt Kerateas, një zonë jashtë qendrës së Athinës, ku kanë fshehur motoçikletën në një banesë të izoluar.

Sipas policisë, në këtë vend i priste një 48-vjeçar grek, i cili dyshohet se kishte marrë përsipër t’i ndihmonte të largoheshin.

Ai dyshohet se i ka transportuar me automjet drejt një tjetër zone të kryeqytetit grek.

Gjatë kontrolleve të mëvonshme, hetuesit zbuluan motoçikletën e përdorur në krim, e cila ishte çmontuar në pjesë të ndryshme dhe ishte fshehur.

Policia sekuestroi gjithashtu automjete, pajisje dhe materiale me interes për hetimin, prova digjitale, si dhe një helmetë që dyshohet se ishte përdorur nga drejtuesi i motorit.

Këto prova ndihmuan autoritetet të rindërtonin lëvizjet e personave të përfshirë dhe të identifikonin të dyshuarit.

Nga përpunimi i materialeve hetimore, policia greke ka identifikuar Eduart Qendrothanasin si personin që dyshohet se drejtonte motoçikletën gjatë ekzekutimit.

Shqiptari, i cili njihet edhe me emrin Stamatis Qendrothanasi, rezulton të jetë në kërkim edhe për një tjetër ngjarje kriminale.

Bëhet fjalë për një grabitje të armatosur të ndodhur më 27 korrik 2023, në një zyrë postare të kompanisë ELTA në qytetin e Mesinit.

Autoritetet po punojnë për lokalizimin dhe arrestimin e tij, ndërsa 48-vjeçari grek i ndaluar në kuadër të hetimeve për vrasjen është lënë në paraburgim.

Niko Gavanozi nuk ishte një emër i panjohur për policinë greke.

Prej vitesh, ai ishte përmendur në hetime dhe operacione që lidheshin me krimin e organizuar, gjobëvënien dhe konfliktet e dhunshme në Athinë.

Në vitin 2015, Gavanozi ishte arrestuar gjatë një operacioni të gjerë policor kundër grupeve që dyshohej se u kërkonin para pronarëve të bizneseve në këmbim të mbrojtjes.

Operacioni përfundoi me arrestimin e 21 personave.

Emri i 52-vjeçarit ishte shfaqur gjithashtu në ngjarje që lidheshin me përplasjet mes grupeve të tifozëve të organizuar të Panathinaikosit.

Në shtator 2021, ai u arrestua pas një incidenti me armë zjarri pranë një shoqate tifozësh në bulevardin Aleksandras, ku një person mbeti i plagosur.

Tre vite më vonë, në korrik 2024, Gavanozi u përmend sërish në hetimet për përleshje të dhunshme mes tifozëve, të cilat sollën disa të plagosur dhe arrestime.

Kjo e kaluar ka bërë që hetuesit të shqyrtojnë edhe mundësinë e lidhjes së atentatit me konflikte të mëparshme, megjithëse motivi i vrasjes nuk është përcaktuar ende përfundimisht

Pavarësisht arrestimit të 48-vjeçarit grek dhe identifikimit të shqiptarit të dyshuar si drejtues i motoçikletës, hetimet për ekzekutimin e Niko Gavanozit nuk kanë përfunduar.

Autoritetet po përpiqen të identifikojnë të gjithë personat e përfshirë, përfshirë autorin që hapi zjarr dhe çdo bashkëpunëtor të mundshëm në organizimin e atentatit.

Të Ngjashme