Lajme

Emiratet dhe Izraeli bashkëpunuan fshehurazi në sulmet ndaj Iranit, sipas raportit

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kryer një seri sulmesh ndaj Iranit gjatë ofenzivës së përbashkët SHBA-Izrael, sipas një raporti të publikuar nga gazeta Wall Street Journal, të hënën.

Njëra nga objektivat ishte një rafineri në Ishullin Lavan të Iranit, sipas burimeve anonime të gazetës.

Rafineria është goditur në fillim të prillit gjatë kohës kur presidenti amerikan, Donald Trump ishte gati të njoftonte një armëpushim me Iranin, duke shkaktuar një zjarr të madh dhe duke e lënë objektin jashtë funksionit, sipas Journal.

Irani u hakmor duke lëshuar raketa balistike dhe dronë drejt Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Kuvajtit. Një nga burimet tha se SHBA-të e mirëpritën në heshtje hyrjen e Emirateve në luftë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe nuk komentoi mbi sulmet kur u pyet nga gazeta për koment.

Megjithatë, ajo përmendi një deklaratë të lëshuar më parë që theksonte të drejtën e Abu Dhabit për t’iu përgjigjur akteve armiqësore.

Ndërkohë, ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee ka thënë se Izraeli ka dërguar bateri dhe personel anti-raketë “Kupola e Hekurt ” për t’i operuar ato në Emiratet e Bashkuara Arabe për të mbrojtur vendin gjatë luftës me Iranin, shkruan AP.

“Do të doja të shprehja një vlerësim për Emiratet e Bashkuara Arabe, anëtarin e parë të marrëveshjes së Abrahamit”, tha Huckabee në Konferencën e Tel Avivit. “Shikoni vetëm përfitimet. Izraeli sapo u dërgoi atyre bateri dhe personel të Kupolës së Hekurt për t’i ndihmuar në funksionimin e tyre.”

Komentet e Huckabee erdhën pasi ambasadori i SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Mike Waltz, u citua të thoshte të njëjtën gjë gjatë një aktiviteti në misionin izraelit atje të hënën në mbrëmje – duke sugjeruar se ky ishte një publikim i qëllimshëm i informacionit, me shumë mundësi me bekimin e emiratasve dhe izraelitëve.

Kjo është hera e parë që pranohet publikisht se ka pasur një vendosje të ushtrisë izraelite në Emirate.

Emiratet e Bashkuara Arabe e njohën diplomatikisht Izraelin në vitin 2020./teve1.info/

Të Ngjashme