“Sot është ditëlindja ime, por kjo ditë nuk është njësoj pa ty”, këto kanë qenë fjalët prekëse që Selvie Jao i ka dedikuar bashkëshortit të saj të ndjerë, Shpat Kasapit, i cili u nda nga jeta një vit më parë pas një sulmi në zemër.
Në këtë ditë të veçantë, Selvija i ka kushtuar një dedikim prekës Shpatit, këngëtarit të zemrave të shqiptarëve, i cili me muzikën dhe tekstet e tij gdhendi emrin e tij në mendjen e fansave.

Postimi i plotë:
“Shpat, sot është ditëlindja ime… dhe ti nuk do ta harroje kurrë.
Sado angazhime të kishe, sado momente të vështira të kishim kaluar, edhe kur jeta na sfidonte aq shumë, ti prapë nuk e harroje këtë ditë. Ti prapë dije si ta bëje ditën time festë. Dije si të më bëje të ndihem e veçantë.
E sot, gjithë ditën kam pritur të vish…
Të hapet dera e të më thuash: ‘Surprizë, Selvooo… ishte thjesht një shaka e hidhur.’
Po ti nuk erdhe.
Kush do të më thotë tani, bre shoku im më i mirë, si do ta vazhdoj jetën unë kështu?
Ndoshta duhet ta mësoj veten të besojë se ti vërtet ke shkuar. Edhe pse një pjesë e imja ende të pret. Ende të kërkon në ditë si kjo. Ende, në mënyrë të pamundur, pret zërin tënd.
Sot të gjithë mund të më shohin të fortë. Të rregulluar. Të buzëqeshur. Të ‘prezantueshme’.
Por askush nuk e di sa shumë jam duke vdekur përbrenda çdo ditë.
Sot është ditëlindja ime, Shpat… Por pa ty, kjo ditë nuk është më si dikur.
Më mungon më shumë se çdo fjalë që mund të shkruaj.”
