Lifestyle

Sot “Black Friday”, si lindi dita që pushtoi botën e blerjeve?

Sot shënohet “Black Friday” apo “E Premtja e Zezë”, një nga ditët më të mëdha të blerjeve në botë.

Çdo vit, të premten pas Ditës së Falënderimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bizneset ofrojnë zbritje të çmimeve për një gamë të gjerë produktesh, duke shënuar fillimin tradicional të sezonit të blerjeve për festat e fundvitit shkruan KosovaPress.

Tradita, e cila e ka origjinën në SHBA, ndër vite është përhapur në mbarë botën, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë.

Si lindi emërtimi “Black Friday”?

Origjina e këtij emërtimi lidhet me qytetin amerikan të Filadelfias në vitet ’50 dhe ’60 të shekullit të kaluar.

Sipas Associated Press, policia përdorte termin “Black Friday” për të përshkruar kaosin, kolonat e automjeteve dhe grumbullimin masiv të qytetarëve që dilnin për blerje një ditë pas Ditës së Falënderimeve.

Në vitet ’80, tregtarët amerikanë i dhanë emërtimit një kuptim pozitiv, duke e lidhur me kalimin nga humbjet financiare, të shënuara me ngjyrë të kuqe, në fitimet e regjistruara me ngjyrë të zezë.

Nga dyqanet fizike te blerjet online

Me zhvillimin e teknologjisë dhe tregtisë elektronike, Black Friday nuk kufizohet më vetëm në një ditë. Shumë kompani i fillojnë ofertat disa javë më herët.

Sipas një publikimi të Bankës Federale të Rezervave të St. Louis, më 18 nëntor 2026, shpenzimet për blerjet online gjatë Black Friday në SHBA arritën në 11.8 miliardë dollarë në vitin 2025, duke shënuar rritje prej 9% krahasuar me vitin paraprak.

Black Friday pasohet nga “Cyber Monday”, një tjetër ditë e zbritjeve, kryesisht për blerjet online, që këtë vit shënohet më 30 nëntor.

Ndërkohë, konsumatorët këshillohen të krahasojnë çmimet para blerjes, të verifikojnë nëse zbritjet janë reale dhe të kenë kujdes nga mashtrimet online.

Të Ngjashme