Euro do të bëhet monedha zyrtare e Shqipërisë pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kjo parashikohet në projektligjin e ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i cili është hedhur për konsultim publik dhe, për herë të parë, përfshin një kapitull të posaçëm që rregullon kalimin nga leku te euro.
Ekonomisti Gentian Beqiri vlerëson se adoptimi i euros dhe anëtarësimi në eurozonë do të sjellin një sërë përfitimesh për ekonominë shqiptare.
“Pavarësisht se ne nuk jemi pjesë, por Euro është pjesë e ekonomisë dhe ndërkohë ne nuk kemi përfitimet e të qenurit në eurozonë që të kemi nivel shumë të ulët të interesave bankare. Nuk kemi rrezikun e kursit të këmbimit. Kursi i këmbimit është shumë i luhatshëm dhe i paparashikueshëm. Ka kosto për të këmbyer monedhën. Pra, bërja pjesë e euros i eliminon këto”, tha Beqiri.
Sipas ekspertit, anëtarësimi në eurozonë dhe përfshirja e Shqipërisë në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore do të krijojnë mundësi të reja për ekonominë dhe do të forcojnë stabilitetin financiar të vendit.
“Kur je pjesë e një ekonomie më të madhe, një ekonomi e vogël si Shqipëria bëhet pjesë e një sigurie dhe një standardi më të lartë se sa kemi aktualisht. Bërja pjesë do të thotë që ne të përfitojmë, duke pasur edhe një pjesë të vogël përqindje të caktuar në bazë të shërbimeve që do të kemi si pasojë e fitimit. Pra, ka patjetër shumë e shumë anë pozitive”, shtoi Gentian Beqiri.
Ndërkohë, një tjetër efekt i rëndësishëm i anëtarësimit në eurozonë lidhet me një ndarje më të qartë të përgjegjësive në hartimin dhe zbatimin e politikës monetare.
“Deri në këtë moment ne kemi parë shumë ndërhyrje, pra nuk e kemi të ndarë me thikë rolin e qeverisë, të politikës dhe rolin e Bankës së Shqipërisë. Si pasojë e kësaj, këto do të jenë shumë të qarta”, pohoi Beqiri.
Projektligji është tashmë në konsultim publik dhe përbën një hap të rëndësishëm në procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.
Ai parashikon gjithashtu rritjen e kapitalit të Bankës së Shqipërisë nga 2.5 në 6 miliardë lekë, si dhe rritjen e Rezervës së Përgjithshme nga 12.5 në 30 miliardë lekë. /RTSH
