Lajme

Faton Alija nis detyrën si drejtor i Policisë në Pejë, mban takimin e parë me stafin udhëheqës

Drejtori i sapoemëruar i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, kolonel Faton Alija, ka zhvilluar takimin e parë zyrtar me stafin udhëheqës të kësaj drejtorie.

Takimi është mbajtur sot në ambientet e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, ku të pranishëm ishin komandantët e stacioneve policore në Pejë, Istog, Klinë, Deçan dhe Junik, si dhe shefat e njësive rajonale.

Me këtë rast, Alija ka falënderuar stafin udhëheqës dhe zyrtarët policorë për angazhimin e tyre në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

Ai gjithashtu ka prezantuar vizionin e tij menaxherial, duke kërkuar angazhim maksimal në përmbushjen e objektivave strategjike të Policisë së Kosovës.

Ndër prioritetet e paraqitura nga drejtori i ri janë rritja e integritetit, disiplinës dhe profesionalizmit policor, intensifikimi i aktiviteteve parandaluese dhe hetimore kundër kriminalitetit, si dhe shtimi i masave për sigurinë në trafikun rrugor.

Alija ka kërkuar gjithashtu thellimin e bashkëpunimit dhe komunikimit transparent me komunitetin, të cilin e ka cilësuar si partner të rëndësishëm në garantimin e sigurisë publike.

Në anën tjetër, komandantët e stacioneve policore dhe shefat e njësive e kanë njoftuar atë me të arriturat, planet operative dhe sfidat me të cilat përballen në terren, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe zbatim të detyrave ligjore.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve profesionale dhe efikase për të gjithë qytetarët.

Të Ngjashme