Lajme

Figura të reja apo emra të vjetër? Testi i madh i partive para zgjedhjeve të 7 qershorit

Përgatitjet për zgjedhjet që do të mbahen për më pas se një muaj, tashmë kanë nisur nga partitë politike. Ato kanë prezantuar disa kandidatë për deputetë, ndryshime brenda partive e koalicionet parazgjedhore. Një nga çështjet kryesore mbetet nëse këto lista duhet të rifreskohen me figura të reja apo të mbeten të bazuara në strukturat ekzistuese.

Pra, rifreskimi i listave të kandidatëve për deputetë po konsiderohet gjithnjë e më shumë si një nga sfidat kryesore politike para zgjedhjeve në Kosovë. 

Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se qytetarët kanë shfaqur lodhje ndaj figurave të njëjta politike dhe mënyrës së mbyllur të funksionimit të partive. Sipas tyre, përfshirja e figurave të reja mund të ndikojë në rikthimin e besimit publik dhe në rritjen e pjesëmarrjes në zgjedhje. 

Megjithatë, njohësit theksojnë se ndryshimi nuk duhet të jetë vetëm formal, por i bazuar në meritokraci, integritet profesional dhe përfaqësim cilësor. 

Ata vlerësojnë se listat zgjedhore janë pasqyrë e demokracisë së brendshme të partive dhe e gatishmërisë së tyre për reforma reale. 

Po ashtu, konsiderohet e rëndësishme ruajtja e balancës ndërmjet përvojës politike dhe gjeneratave të reja. Në të kundërt, sipas analistëve, rifreskimi sipërfaqësor mund të rrisë edhe më shumë mosbesimin dhe cinizmin politik tek qytetarët.

Rifreskimi i listave zgjedhore, test i besimit qytetar dhe seriozitetit politik

Image
Prof. Dr. Fejzulla Berisha

Kështu, profesori universitar Fejzulla Berisha vlerëson për ‘Bota sot’, se rifreskimi i listave zgjedhore në Kosovë përbën një test të rëndësishëm për besimin publik dhe seriozitetin e partive politike ndaj demokracisë përfaqësuese.

Sipas tij, debati mbi listat e kandidatëve për deputetë nuk është vetëm çështje teknike e partive, por një provë konkrete e gatishmërisë së tyre për ndryshim politik. 

“Pyetja kryesore është nëse listat do të mbeten peng i strukturave të vjetra politike apo do të hapen ndaj një fryme të re përfaqësimi,” thekson Berisha.

Ai vlerëson se listat zgjedhore janë pasqyrë e funksionimit të brendshëm të partive politike. 

“Ato tregojnë shkallën e hapjes ndaj ndryshimit, funksionimin e meritokracisë dhe mundësinë e përfshirjes së gjeneratave të reja,” shprehet ai.

Sipas Berishës, përsëritja e vazhdueshme e të njëjtave figura politike krijon perceptim negativ te qytetarët.

 “Kur listat përsërisin të njëjtat figura për vite me radhë, krijohet perceptimi i stagnimit politik dhe i mungesës së hapësirës për ndryshim,” deklaron ai, duke shtuar se kjo ndikon drejtpërdrejt në uljen e besimit ndaj institucioneve.

Duke folur për përfshirjen e figurave të reja, ai thotë se ky proces është i domosdoshëm për rigjenerimin politik. 

“Figurat e reja mund të sjellin qasje më profesionale në Kuvend, energji reformuese dhe distancim nga konfliktet e trashëguara politike,” vlerëson Berisha.

Megjithatë, ai paralajmëron se përzgjedhja duhet të bazohet në meritë dhe integritet profesional. 

“Nëse rifreskimi bëhet vetëm mbi baza lojaliteti partiak, atëherë ai mbetet formal dhe pa ndikim real,” thekson profesori.

Berisha konsideron se besimi publik nuk mund të ndërtohet vetëm me ndryshime sipërfaqësore. 

“Besimi i qytetarëve mbetet i brishtë për shkak të mungesës së rezultateve konkrete dhe perceptimit për mungesë llogaridhënieje,” shprehet ai.

Ai shton se rifreskimi i listave mund të ketë efekt pozitiv vetëm nëse bëhet në mënyrë transparente dhe me kritere të qarta meritokracie. Përndryshe, sipas tij, mund të rritet edhe më shumë cinizmi politik tek qytetarët.

Profesori vlerëson gjithashtu se ndryshimet në lista mund të ndikojnë në rritjen e pjesëmarrjes në zgjedhje, sidomos te të rinjtë dhe votuesit e pavendosur. Megjithatë, ai nënvizon se pjesëmarrja varet edhe nga faktorë të tjerë, si besimi në institucione, gjendja ekonomike dhe ofertat programore të partive.

Në fund, Berisha thekson nevojën për balancë mes përvojës dhe gjeneratave të reja në politikë. 

“Një sistem demokratik i qëndrueshëm nuk ndërtohet mbi përjashtimin e përvojës apo monopolizimin e saj, por mbi balancimin e saj me gjeneratat e reja,” përfundon ai.

Halili: Rifreskimi i listave zgjedhore mund të rikthejë besimin e qytetarëve në politikë

Image
Prof. asoc. dr. Nijazi Halili

Po ashtu, edhe profesori universitar Nijazi Halili në një prononcim të tij për “Bota sot” vlerëson se rifreskimi i listave të kandidatëve për deputetë nuk duhet të shihet vetëm si nevojë elektorale, por si një domosdoshmëri për forcimin e legjitimitetit demokratik të partive politike në Kosovë.

Sipas tij, në vend tashmë vërehet një lodhje e qytetarëve ndaj figurave të njëjta politike dhe ndaj mënyrës së funksionimit të partive. 

“Ekziston perceptimi se proceset vendimmarrëse vazhdojnë të mbeten të mbyllura brenda strukturave partiake,” thekson Halili.

Ai konsideron se përfshirja e figurave të reja me integritet profesional dhe kredibilitet publik mund të ndikojë pozitivisht në rikthimin e besimit të qytetarëve në politikë.

“Figurat e reja potencialisht sjellin qasje më pragmatike dhe më afër interesit publik,” deklaron profesori.

Halili thotë se kjo mund të reflektohet sidomos në trajtimin e temave që lidhen me ekonominë, arsimin, shëndetësinë dhe integrimin evropian. 

Megjithatë, ai nënvizon se efekti pozitiv nuk varet vetëm nga “rinovimi” formal i listave.

“Ndikimi real përcaktohet nga cilësia e kandidatëve dhe niveli i demokracisë së brendshme në parti,” shprehet ai.

Sipas Halilit, partitë politike duhet të fokusohen në ndërtimin e listave më meritore, më profesionale dhe më përfaqësuese. Ai vlerëson se një qasje e tillë mund të ndikojë edhe në rritjen e pjesëmarrjes qytetare në zgjedhje.

“Votuesit priren të mobilizohen më shumë kur ndjejnë se ekziston mundësia reale për ndryshim dhe përfaqësim autentik,” përfundon Halili.

Të Ngjashme