Lajme

Formimi i qeverisë pas zgjedhjeve, Halilaj tregon tre skenarët e mundshëm – paralajmëron këtë gjë

Zgjedhjet e 7 qershorit nuk arritën të prodhojnë një fitues me shumicë të qartë, duke e futur vendin në një situatë politike të hapur dhe të pasigurt. Në këto rrethana, formimi i institucioneve kryesore shtetërore, si zgjedhja e presidentit dhe krijimi i qeverisë, varet nga gatishmëria e partive politike për të arritur kompromise dhe marrëveshje bashkëpunimi.

Kjo situatë hap disa skenarë të mundshëm: nga krijimi i koalicioneve mes partive kryesore, deri te qeveri pakice që mbështetet nga marrëveshje të përkohshme në parlament.

E në lidhje me këtë temë për “Bota sot” foli anëtari i Guxo, Gazmend Halilaj, i cili u shpreh se, pas rezultati zgjedhor të 7 qershorit, duhet të ketë maturi dhe gatishmëri nga partitë për kompromis.

“Zgjedhjet e 7 qershorit nuk prodhuan një fitues me shumicë të qartë (pertej 50%) prandaj vendi ndodhet para një momenti që kërkon përgjegjësi politike, maturi dhe gatishmëri për kompromis. Në një sistem demokratik, kur qytetarët nuk i japin një partie fuqinë e mjaftueshme për të qeverisur e vetme, barra kalon te subjektet politike për të gjetur gjuhën e përbashkët në funksion të stabilitetit institucional dhe interesit shtetëror”, deklaroi ai.

Image
Gazmend Halilaj

Sipas tij, formimi i të gjitha institucioneve të vendit kërkon dialog serioz mes subjekteve politike.

Për këtë, ai përmendi disa skenarë të mundshëm, derisa nuk përjashtoi mundësinë e bllokadës dhe zgjedhjeve të reja, nëse nuk arrihen kompromise politike.

“Në këtë situatë, zgjedhja e Presidentit dhe formimi i Qeverisë kërkojnë dialog serioz dhe marrëveshje politike. Skenarët e mundshëm janë disa: formimi i një qeverie nga Lëvizja Vetëvendosje me mbështetjen e partive më të vogla, krijimi i një koalicioni më të gjerë ndërpartiak ose vazhdimi i bllokadës politike që mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja. Duke parë rezultatet dhe deklarimet publike, mbetet të shihet nëse partitë do t’i vendosin interesat shtetërore mbi kalkulimet partiake”.

Ndër të tjera, ai kërkon që të respektohet partia fituese dhe të ketë mundësi për formim të institucioneve, mirëpo çdo zgjidhje afatgjate kërkon bashkëpunim politik.

“Si përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje, besoj se vullneti qytetar duhet të respektohet dhe se subjekti i parë duhet të ketë mundësinë reale për të ndërtuar institucionet. Megjithatë, çdo zgjidhje e qëndrueshme do të kërkojë kompromis politik, sepse askush nuk e ka luksin të mbajë vendin peng të interesave të ngushta partiake. Kosova ka nevojë për institucione funksionale, stabilitet dhe vendimmarrje, jo për krizë të pafund politike”, përmbylli Gazmend Halilaj për “Bota sot”.

Të Ngjashme