Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Fshati Banjskë një muaj pas sulmit terrorist

Një muaj pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, situata atje është e qetë. Numri i policëve është zvogëluar dukshëm, ndërsa nëpër rrugë pothuajse nuk ka njerëz.

Rade Nedelkoviq, banor i këtushëm dhe ndër të rrallët që pranoi të flasë, tha për KosovaPress, se nuk din si ta përshkruaj aktualisht jetën në këtë fshat, sepse popullata, siç u shpreh, është ende nën ndikimin e tërë asaj që ka ndodhur një muaj më parë.

Sipas tij, të gjithë banorët e këtushëm të cilët kanë pasur ndonjë familjarë jashtë këtij fshati, kanë ikur.

Ai theksoi se askush deri tash nga përfaqësuesit politik nuk i ka vizituar, ndërsa thotë se Lista serbe e ka sjellë një situatë të tillë.

‘Akoma jemi nën ndikimin e të gjithë asaj që ka ndodhur, andaj vështirë është të thuhet diçka. Po shpresojmë se do të bëhet më mirë… Unë nuk i kam parë, deri tash jo (politikanët serbë dhe përfaqësuesit e partive të ndryshme v. j.)… Nuk ka njerëz, nuk e di ku janë, kanë shkuar, kush ka pasur ku të shkoj, ka shkuar… Jo, çfarë Liste serbe, ata zaten e kanë sjellur situatën deri këtu. Nuk i kemi parë, asnjërin, të paktën unë jo’, ka thënë Nedelkoviq.

Një tjetër banor i Banjskës, që nuk ka dashur të flasë para kamerës, tha se njerëzit këtu janë të frikësuar dhe nuk duan të flasin.

‘Banjska tashmë është shndërruar në epiqendër të botës dhe të gjithë sytë i kanë nga ne. Askush nuk po na kupton. Ne jemi në mes të dy zjarreve, sepse nëse flasim realitetin, sulmohemi nga Beogradi, duhet të themi atë që s’është dhe pastaj të na sulmojë Prishtina’, tha ai.

Në anën tjetër, Veton Elshani, u.d. të drejtorit të policisë për rajonin e veriut, ka bërë të ditur se situata e sigurisë në Banjskë, por edhe në veri në përgjithësi, është e qetë, por delikate.

Sipas tij, policia është duke vazhduar punën sa i përket hetimeve që ndërlidhen me Banjskën, dhe kohë pas kohe pjesëtarët e policisë kanë arritur të gjejnë armë, gëzhoja, si dhe prova tjera.

‘Situata e sigurisë është e qetë, por delikate, duke marrë parasysh rastin që ka ndodhur më 24 shtator. Me siguri se ka shumë punë për të bërë sa i përket hetimeve në lidhje me rastin e Banjskës, dhe njësitet kompetente në kuadër të Drejtorisë së përgjithshme të Policisë janë duke vazhduar punën e tyre… Kohë pas kohe gjejmë armë, psh, dje kemi gjetur një zolë në një shtëpi aty afër, gëzhoja, gjejmë prova materiale, mirëpo ne konsiderojmë se e kemi pastruar atë terren në masë të madhe, mirëpo qytetarët duhet të vazhdojnë të kenë kujdes, sidomos ata të cilët nuk kanë hyrë nëpër shtëpitë e veta ose kur të kthehen me pas kujdes’, sqaroi nënkoloneli Elshani.

Në orët e para të mëngjesit të datës 24 shtator ishte vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe disa tjerë u plagosën.