Lajme

​Murali i Nënë Terezës, Ministria akuzon Komunën për ndërhyrje të paligjshme në objektin e saj: Prandaj, e thirrëm Policinë

Ministria e Ekonomisë ka reaguar lidhur me përplasjen me Komunën e Prishtinës për vendosjen e muralit kushtuar Nënë Terezës në murin e jashtëm të objektit të kësaj ministrie.

Në një komunikatë për media, Ministria ka akuzuar Komunën e Prishtinës për ndërhyrje të paautorizuara në objektin e saj, duke pretenduar se punimet janë ndërmarrë pa pëlqimin e institucioneve që e kanë në pronësi dhe menaxhojnë objektin.

Sipas Ministrisë, Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës së Prishtinës më 28 shtator 2026 ka lëshuar pëlqim për realizimin e projektit, ndonëse, siç thuhet në reagim, objekti nuk është në pronësi dhe as nën menaxhimin e komunës.

Ministria pretendon se ky pëlqim është i kundërligjshëm dhe nuk është nënshkruar nga drejtori i drejtorisë përkatëse. Po ashtu, thotë se Komuna nuk e ka konsultuar dhe as njoftuar paraprakisht Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë për Dixhitalizim dhe Administratë Publike.

Sipas kronologjisë së paraqitur nga Ministria, më 20 nëntor, në orën 09:17, përfaqësuesit e Komunës, përmes një kontraktori privat, kanë ndërhyrë në objekt dhe kanë larguar banerin informues të Ministrisë.

Ministria pretendon se gjatë këtyre veprimeve nuk janë vendosur masa mbrojtëse, duke rrezikuar shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve, si dhe janë shkaktuar dëme materiale në pronën e saj.

Ajo ka bërë të ditur se, pavarësisht vendimit të Prokurorisë për pezullimin e punimeve, përfaqësues të Komunës së Prishtinës janë paraqitur sërish të premten, më 27 nëntor, rreth orës 06:00 të mëngjesit, me makineri ngritëse (vinç), me qëllim të vazhdimit të punimeve.

Për këtë arsye, Ministria thotë se ka njoftuar Policinë e Kosovës, e cila ka ndërhyrë në vendin e ngjarjes dhe ka ndaluar punimet.

Ministria e Ekonomisë ka theksuar se nuk e kundërshton realizimin e veprës artistike kushtuar Nënë Terezës, por se kundërshtimi i saj lidhet me mënyrën se si Komuna ka ndërmarrë veprimet.

“Çështja në fjalë nuk ka të bëjë me përmbajtjen e veprës artistike, por me mënyrën e ndërmarrjes së veprimeve nga Komuna e Prishtinës përmes kontraktuesve, mungesën e komunikimit dhe koordinimit ndërinstitucional, dëmin e shkaktuar ndaj institucioneve shtetërore, si dhe respektimin e vendimeve të organeve kompetente”, thuhet në reagim.

Ministria i ka kërkuar Komunës së Prishtinës që të respektojë vendimin e Prokurorisë deri në përfundimin e hetimeve dhe marrjen e një vendimi përfundimtar gjyqësor.

Në fund, ajo u ka bërë thirrje mediave që raportimin për këtë çështje ta bazojnë në fakte dhe informacione të verifikuara, duke shmangur, siç është shprehur, keqinterpretimet dhe dezinformimin e opinionit publik.

Të Ngjashme