Në Kullën e Bajraktarit në Llaushë, ku u shënua 28 Nëntori, Gani Geci ka mbajtur një fjalim me tone të ashpra, duke folur për daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 nëntor 1997, rezistencën shqiptare dhe vrasjet e pasluftës. Ai ka drejtuar akuza të rënda ndaj ish-udhëheqësve të institucioneve dhe, në veçanti, ndaj Hashim Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Geci, në fjalimin e tij, ka theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk mund të përvetësohet nga individë apo grupe të caktuara, duke insistuar se UÇK-ja i përket Kosovës dhe historisë së saj çlirimtare.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është e hajnave, nuk është e vagabondëve, nuk është e mjeranëve. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është e Zvicrës. UÇK-ja është e Kosovës. Nuk është e Xhavit Halitit, është e Adem Jasharit”, ka deklaruar Geci.
Një pjesë të rëndësishme të fjalimit ia kushtoi edhe Fetah Rudit, të cilin e cilësoi si simbol të rezistencës shqiptare. Ai tha se, pavarësisht gjendjes fizike dhe faktit se sot është në karrocë, ai vazhdon të përfaqësojë qëndresën.
Geci i kritikoi ashpër ata që, sipas tij, përpiqen të paraqiten si patriotë dhe atdhetarë, ndërkohë që ai i akuzoi për përgjegjësi në vrasjet e pasluftës.
“Ata tani mundohen të na tregojnë patriotizëm? Mundohen të na tregojnë atdhedashuri? Jo! Ata nuk janë as atdhedashës, as patriotë. Ata janë hajna që kanë vrarë pas luftës”, ka thënë ai.
Në një pjesë tjetër të fjalimit, Geci ka përmendur disa prej figurave të vrara pas luftës, duke theksuar se viktimat nuk kanë mundësi të flasin dhe të mbrojnë të vërtetën e tyre.
Ai përmendi Xhemail Mustafën, Enver Malokun, Ismet Racin, Shaban Manajn, Smajl Hajdarin dhe Tahir Zemajn, duke rikujtuar se ata nuk mund të dalin më publikisht për të kundërshtuar deklaratat dhe interpretimet që bëhen për historinë e Kosovës.
“Kështu, në karrocë, po mundet me folë Fetah Rudi. Por ata të tjerët që janë vrarë, ata nuk munden me folë. Nuk munden me shku në televizione e të kundërshtojnë ata që thonë se Ibrahim Rugova nuk paska qenë atdhetar”, është shprehur Geci.
Ai ka folur edhe për periudhën e pasluftës, duke thënë se liria nuk nënkuptonte përfundimin e vështirësive për shqiptarët, pasi, sipas tij, rezistenca ndaj kriminalitetit dhe qëndrimi në mbrojtje të bindjeve politike ka kërkuar guxim të madh.
Geci ka deklaruar se për 28 vjet ka qëndruar kundër, siç i quajti ai, bandave kriminale të Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
Në përfundim të fjalimit, ai ka ritheksuar përkushtimin e tij ndaj flamurit kombëtar, pavarësisë dhe lirisë së Kosovës.
“Sot jam gjallë, kam qëndruar. Do ta mbroj flamurin kombëtar, do ta mbroj pavarësinë e Kosovës, do ta mbroj lirinë e Kosovës dhe do ta mbroj familjen time të shenjtë”, ka përfunduar Geci.
Fjalimin e tij ai e përmbylli me mesazhin se qëndresa e tyre ka qenë e bashkuar, duke falënderuar mediat dhe të pranishmit për pjesëmarrjen në shënimin e 28 Nëntorit.
