Lajme

​Gashani: Miratimi i kredisë 60 milionëshe, hap drejt realizimit të “Prishtina 2030”

Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka reaguar pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës të Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, në vlerë prej 60 milionë eurosh, për projektin e Lojërave Mesdhetare XXI.

Gashani, përmes një postimi në rrjetet sociale, e ka cilësuar miratimin si një hap të rëndësishëm për realizimin e projektit “Prishtina 2030” dhe zhvillimin e infrastrukturës sportive në vend.

“Sot, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është miratuar Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për financimin e Projektit të Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.

Një hap i rëndësishëm për realizimin e këtij projekti madhor dhe zhvillimin e infrastrukturës sportive në Kosovë.

Faleminderit të gjithë deputetëve për mbështetjen dhe votën!”, ka shkruar Gashani.

Kuvendi e ka miratuar marrëveshjen me 95 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Kredia prej 60 milionë eurosh do të përdoret për renovimin dhe zgjerimin e kampusit të studentëve të Universitetit të Prishtinës, i cili gjatë Lojërave Mesdhetare do të shërbejë si fshat i atletëve, ndërsa objektet sportive përreth do të përdoren si qendra stërvitore.

Marrëveshja parasheh mundësinë e përfitimit edhe të një granti investiv prej 10 milionë eurosh, duke e çuar vlerën e përgjithshme të investimit të parashikuar në 70 milionë euro.

Të Ngjashme