Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi, i shoqëruar nga anëtarët Arlinda Muqa, Visar Krasniqi dhe Milot Krasniqi, priti sot në takim Zëvendëspërfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Milbert Domgjon Shin, i shoqëruar nga përfaqësues të Zyrës së UNMIK-ut.
Takimi u zhvillua në frymën e bashkëpunimit të ndërsjellë, me fokus në zhvillimet aktuale në sistemin prokurorial, forcimin e sundimit të ligjit dhe vazhdimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me partnerët ndërkombëtarë.
Me këtë rast, Kryesuesi Gashi e njoftoi delegacionin e UNMIK-ut me përbërjen e re të Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe me përfundimin e procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit, duke theksuar rëndësinë e funksionalizimit të plotë të institucioneve të sistemit prokurorial.
Duke folur për bashkëpunimin ndërkombëtar, Kryesuesi Gashi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që UNMIK-u ka dhënë ndër vite për Kosovën, e në veçanti për sistemin e drejtësisë, duke vlerësuar se ky kontribut ka qenë i rëndësishëm në zhvillimin dhe konsolidimin e institucioneve të drejtësisë.
Gjatë takimit u diskutua edhe për angazhimin e vazhdueshëm të Këshillit Prokurorial për garantimin e një sistemi prokurorial gjithëpërfshirës, ku përfaqësimi i drejtë i të gjitha komuniteteve mbetet një ndër prioritetet institucionale. Në këtë drejtim, Kryesuesi Gashi bëri të ditur se së shpejti do të shpallet konkursi për pranimin e prokurorëve të rinj, me qëllim avancimin e përfaqësimit të tyre të drejtë në sistemin prokurorial të vendit.
Po ashtu, Gashi ritheksoi përkushtimin e Këshillit Prokurorial për përmbushjen e standardeve dhe detyrimeve ndërkombëtare, duke nënvizuar se Kosova ka ndërtuar një kornizë ligjore të avancuar edhe falë mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë. Këshilli do të vazhdojë të punojë për fuqizimin e mëtejmë të sundimit të ligjit përmes profesionalizmit, integritetit, paanësisë dhe llogaridhënies.
Nga ana e tij, Zëvendëspërfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Milbert Domgjon Shin, vlerësoi punën dhe rolin e Këshillit Prokurorial të Kosovës në garantimin e funksionimit të pavarur dhe efikas të sistemit prokurorial. Ai theksoi se UNMIK-u e vlerëson angazhimin e Këshillit dhe punën e Prokurorit të Shtetit, duke shprehur besimin se përmes përgjegjësisë institucionale dhe përkushtimit profesional do të vazhdohet me ndërmarrjen e veprimeve që forcojnë sundimin e ligjit dhe besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Në përfundim të takimit, përfaqësuesit e UNMIK-ut riafirmuan gatishmërinë e tyre për të vazhduar mbështetjen ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe institucioneve të drejtësisë, me synim avancimin e reformave dhe forcimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit në vend.
