Ministrja e Drejtësisë diskutoi me Georg Schnetzer për Byronë, Vetingun dhe finalizimin e marrëveshjes për bashkëpunim gjyqësor në çështjet penale.
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka pritur në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e drejtësisë, forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe avancimin e reformave institucionale.
Gjatë takimit, Gërvalla ka theksuar rëndësinë e reformës në drejtësi si proces thelbësor për transformimin e sistemit, forcimin e integritetit institucional dhe garantimin e përgjegjësisë para ligjit.
Ajo ka përmendur themelimin dhe funksionalizimin e Byrosë, jetësimin e procesit të Vetingut, avancimin e pakos së projektligjeve për Reformën në Drejtësi dhe finalizimin e legjislacionit civil si pjesë të angazhimeve për forcimin e institucioneve.
“Themelimi dhe funksionalizimi i Byrosë, jetësimi i procesit të Vetingut, avancimi i pakos së projektligjeve të Reformës në Drejtësi dhe finalizimi i legjislacionit civil janë pjesë thelbësore e këtij angazhimi të përditshëm, për të ndërtuar institucione më të forta, për të garantuar llogaridhënie reale dhe për të dëshmuar se askush, pavarësisht emrit, pozitës apo pushtetit, nuk qëndron mbi ligjin”, ka deklaruar Gërvalla.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte finalizimi i Marrëveshjes me Austrinë për Bashkëpunim Gjyqësor në Çështjet Penale. Sipas ministres, kjo marrëveshje do të përbënte një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.
“Theksova edhe rëndësinë e finalizimit të Marrëveshjes me Austrinë për Bashkëpunim Gjyqësor në Çështjet Penale, si një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, veçanërisht në fushën e ekstradimit, ndihmës së ndërsjellë juridike dhe transferimit të personave të dënuar”, ka thënë Gërvalla.
Ajo ka vlerësuar gjithashtu rolin e Austrisë si partnere e rëndësishme e Kosovës në avancimin e reformave dhe forcimin e institucioneve të drejtësisë.
“Thellimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona i shërben forcimit të kapaciteteve shtetërore, avancimit të reformave dhe konsolidimit të një sistemi drejtësie që garanton sundimin e ligjit, integritetin institucional dhe përgjegjësinë para ligjit”, ka përfunduar ministrja Gërvalla.

