Lajme

Gëzim Mekuli shpërthen ndaj opozitës: Bllokada për Presidentin, “sabotim kombëtar”

Publicisti Gëzim Mekuli ka reaguar ashpër ndaj bllokimit të procesit për zgjedhjen e Presidentit, duke e cilësuar situatën në Kuvend si papërgjegjësi që, sipas tij, barazohet me sabotim kombëtar.

Në një shkrim publik, Mekuli akuzon opozitën për bllokadë të qëllimshme të institucioneve, duke thënë se mosmarrja pjesë në seancë nuk është politikë, por veprim që dëmton shtetin dhe stabilitetin e vendit.

Ai paralajmëron se zvarritja e zgjedhjes së Presidentit rrezikon të krijojë krizë politike dhe t’i japë, sipas tij, avantazh narrativave kundër Kosovës.

Mekuli thekson se bllokimi i institucioneve në këtë moment është shmangie nga përgjegjësia dhe dëmton të ardhmen e vendit.

Shkrimi i plotë i Mekulit:

Zoti ju vraftë!

BLLOKADA për zgjedhjen e Presidentit …. BLLOKOHET përsëri seanca parlamentare

Situata dramatike në Kuvendin e Kosovës është një pasqyrë e dhimbshme e një papërgjegjshmërie që barazvlësohet me sabotim kombëtar.

Kur Kosova gjendet në udhëkryq dhe afatet kushtetuese trokasin si shpatë mbi stabilitetin e vendit, BLLOKIMI i procesit të zgjedhjes së Presidentit nuk është thjesht “politikë opozitare”, por është një lojë e rrezikshme me barutin serb.

Është e pafalshme që një opozitë, e cila pretendon se mbron interesat e shqiptarëve të Kosovës, të përdorë të njëjtat metoda BLLOKUESE si “Lista Serbe”.

Kjo aleancë e heshtur, ku mungesa e tyre në sallë bëhet mjeti kryesor për të paralizuar shtetin, është një thikë pas shpine për institucionet e Kosovës që janë ndërtuar me aq shumë gjak, djersë, lot, vuajtje e mund.

Të nderuar lexues,

Pse ky veprim është gozhda e fundit në arkivolin e Kosovës?

Është gozhda e fundit në arkivolin e Kosovës sepse çdo minutë që Kosova mbetet pa institucione të plota, është një fitore për propagandën kundërshqiptare të Beogradit.

Opozita e çoroditur e Prishtinës po i jep Serbisë dhuratën më të madhe: botëkuptimin e një “shteti të dështuar” që nuk mund të vetëqeveriset nga shqiptarët!

Të çosh Kosovën në zgjedhje të reja në një kohë krizash planetare, vetëm për teka politike, xhelozi dhe inate personale, tregon një mungesë totale vullneti për shtetndërtim.

Populli nuk voton që deputetët të pinë kafe nëpër korridore ndërsa salla e Kuvendit mbetet e zbrazët, apo jo, të dashur lexues!

E rithem se BLLOKADA në këto momente nuk është rezistencë, është ikje nga përgjegjësia dhe nga shqiptaria. Pikë!

Nëse opozita vazhdon me këtë avaz deri në mesnatë, ajo nuk do të mbahet mend si një alternativë qeverisëse, por si bashkëautore e një krize artificiale që i shërben vetëm atyre që nuk ia duan të mirën Kosovës; pra Serbisë së Madhe e të moçme.

Konsekuent deri në fund;

Kosova nuk është pronë private e partive; ajo është amanet i shqiptarëve të copëtuar e të rrjeposur që prej 1878-ës. Dhe kushdo që bëhet BLLOKADË për zgjedhjen e Presidentit të shtetit në këto orë kritike, e ka çu veten në anën e gabuar të historisë; duke punuar de facto kundër sovranitetit të Kosovës që me aq mburrje thonë se e mbrojnë.

Zoti ju vraftë!

Të Ngjashme