Kryetari i Aleancës Ardian Gjini, ka thënë se Kosova po shpenzon deri në dy milionë euro në ditë për import të energjisë elektrike, duke kritikuar Qeverinë për gjendjen në sektorin energjetik.
Në një konferencë për media Gjini ka deklaruar se importi i energjisë elektrike deri më tani ka arritur rreth 27 milionë euro, ndërsa ka thënë se prodhimi vendor është rreth 372 megavat, përballë kërkesës prej mbi 800 megavatësh.
Gjini thotë që Kosova është në kolaps të energjisë
“Duhet me ju thënë që Kosova, thashë, është në kolaps. Edhe një herë, pas shumë viteve, me një import brutal të energjisë elektrike, me çmime brutale, çmime të cilat në fund të fundit të gjitha paguhen prej xhepave të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Gjini.
Gjini ka akuzuar Qeverinë për keqmenaxhim të sektorit energjetik dhe ka paralajmëruar se AAK-ja do të kërkojë interpelancë në Kuvend për këtë çështje, duke kërkuar që edhe Prokuroria dhe institucionet e tjera të merren me të.
AAK-ja do të kërkojë interpelancë në Kuvend për energji
“Lajmi që e kam për ju është që Aleanca do ta thërret edhe njëherë po e përsëris menjëherë një interpelancë për gjendjen energjetike duke e ftuar edhe prokurorinë duke i ftuar edhe institucionet të tjera me u marrë seriozisht me këtë temë”, ka deklaruar ai.
