Kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka vizituar sot fabrikën “Missini Sweets” në Mitrovicë, të cilën e vlerësoi si një histori frymëzuese të suksesit vendor dhe sipërmarrjes familjare.
Gjatë vizitës, Gjini u takua me themeluesen e kompanisë, zonjën Sabahate Misini, për të cilën tha se me vizion dhe guxim arriti ta ndërtojë biznesin nga fillimi. Ai po ashtu përmendi edhe Lindrit Misinin, i cili tashmë po e drejton kompaninë drejt zgjerimit dhe suksesit në nivel kombëtar.
“Suksese të tilla tregojnë se Kosova ka potencial të madh kur puna dhe përkushtimi mbështeten si duhet. Detyra jonë është t’u krijojmë hapësirë njerëzve që ndërtojnë dhe zhvillojnë vendin”, deklaroi Gjini.
Ai theksoi se histori të tilla përfaqësojnë modelin e Kosovës që qytetarët synojnë ta ndërtojnë — një vend ku njerëzit nisin nga pak dhe arrijnë rezultate të mëdha falë angazhimit dhe punës së ndershme.
“Kjo është Kosova që duam dhe ky është mesazhi që po përçoj çdo ditë”, shtoi Gjini.
