Një grup i dyshuar për trafikim të kokainës është goditur në Prishtinë, ku janë arrestuar 6 persona dhe janë sekuestruar drogë e pasuri në vlerë rreth 301 mijë euro, transmeton KosovaPress.
Operacioni i koduar “Heshtja” është realizuar më 14 nëntor 2026 nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Sipas Policisë, operacioni është rezultat i një hetimi të gjatë, gjatë të cilit janë përdorur masa të veçanta hetimore për të zbuluar veprimtarinë e një grupi të dyshuar kriminal me strukturë të organizuar dhe hierarki të përcaktuar, nga drejtuesit deri te shpërndarësit e narkotikëve në rrugë.
Gjatë bastisjeve në disa lokacione në rajonin e Prishtinës, janë arrestuar 6 persona, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt.
Policia ka sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, sasi të tjera të dyshuara të marihuanës, tableta të dyshuara të ekstazisë dhe substanca të tjera të panjohura.
Po ashtu, janë konfiskuar rreth 16 mijë euro para të gatshme në valuta të ndryshme, përfshirë euro, franga zvicerane, funta britanike, dollarë kanadezë dhe lekë shqiptarë.
Në mesin e pasurisë së sekuestruar janë edhe 6 vetura, përfshirë Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe VW Tiguan.
Gjatë operacionit janë gjetur edhe ora luksoze të markave Rolex dhe Franck Muller, stoli të çmuara, telefona mobilë, pajisje elektronike dhe të komunikimit, si dhe pajisje për vëzhgim.
Policia ka sekuestruar gjithashtu një armë zjarri, municion, thika, peshore digjitale dhe pajisje për paketimin e substancave narkotike.
Sipas vlerësimeve policore, kokaina e sekuestruar mund të arrinte vlerën e rreth 111 mijë eurove në tregun ilegal, ndërsa vlera e përgjithshme e drogës dhe aseteve të sekuestruara llogaritet në rreth 301 mijë euro.
Operacioni është zhvilluar me mbështetjen e Njësisë së Reagimit të Shpejtë, patrullave policore të kryeqytetit, Njësisë së Forenzikës dhe Njësisë K9.
Me vendim të prokurorit, 6 të arrestuarit janë dërguar në ndalim për 48 orë.
Të gjitha veprimet janë ndërmarrë nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamentit për Krime të Rënda.
Policia ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
