Lajme

Gucati nga protesta: Nëse nuk votohet projektligji për Specialen, situata nuk do të jetë e mirë

Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, së bashku me veteranë të tjerë, i është bashkuar protestës që po mbahet para Kuvendit të Kosovës.

Gucati, në një prononcim për media, tha se veteranët kanë dalë për t’iu bashkuar studentëve dhe të rinjve, ndërsa theksoi se janë në pritje të zhvillimeve lidhur me leximin e dytë të projektligjit.

“Sot kemi ardhur t’u bashkëngjitemi studentëve dhe rinisë. Ne sot kemi ardhur ta presim leximin e dytë të projektligjit”, deklaroi Gucati.

Ai paralajmëroi se mosmiratimi i projektligjit në leximin e dytë do të krijonte një situatë të pafavorshme, duke përfshirë edhe institucionet e vendit.

“Nëse nuk votohet leximi i dytë, nuk do të jetë situata e mirë as për ne, as për ata, e kam fjalën për parlamentarët dhe qeverinë”, tha Gucati.

Protesta para Kuvendit po zhvillohet në një kohë kur deputetët pritet të shqyrtojnë ndryshimet e propozuara në legjislacionin që lidhet me Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Të Ngjashme