Hafir Hoxha, ka thënë se opozita në Kosovë duhet të ofrojë alternativa konkrete dhe zgjidhje për qytetarët, në vend që të fokusohet vetëm në kritika dhe përpjekje për rrëzimin e Qeverisë.
Në një reagim publik, theksohet se partitë opozitare duhet të mbështesin vendimet e mira të Qeverisë dhe të kundërshtojnë ato të dobëta përmes argumenteve dhe propozimeve konkrete
Sipas këtij qëndrimi, pushteti nuk fitohet vetëm duke kundërshtuar rivalët politikë, por duke dëshmuar se ke program, vizion dhe zgjidhje më të mira për vendin.
Postimi i plotë:
OPOZITA DUHET TË OFROJË ZGJIDHJE, JO VETËM KRITIKA DHE IDE SI TË PENGOJNË DHE RRËZOJNË QEVERINË!
Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, nëse synojnë të vijnë në pushtet, duhet të dëshmojnë që tani se dinë të qeverisin në mënyrë konstruktive.
Opozita duhet t’i mbështesë vendimet e mira të Qeverisë, pavarësisht se kush i merr ato, dhe të angazhohet me energji pozitive për t’i parandaluar vendimet e dobëta. Për çdo vendim të gabuar, duhet të ofrojë alternativa konkrete, argumente profesionale dhe zgjidhje më të mira.
Të jesh opozitë nuk do të thotë të kundërshtosh gjithçka që bën Qeveria! Do të thotë të mbikëqyrësh, të kritikosh me argumente, të propozojë alternativa dhe të kontribuosh për të mirën e qytetarëve.
Kritikat e vazhdueshme pa propozime konkrete, pengesat dhe përpjekjet për ta rrëzuar Qeverinë me çdo kusht nuk dëshmojnë aftësi qeverisëse. Përkundrazi, ato mund ta zhgënjejnë edhe më shumë qytetarin dhe kuptohen vetëm si angazhim për të ardhë në pushten e jo për të mirën e qytetarëve dhe të vendit!
Kosovës i duhet një opozitë konstruktive, me ide, përgjegjësi dhe energji pozitive, e cila dëshmon se është e gatshme të qeverisë më mirë.
Pushteti nuk fitohet vetëm duke e rrëzuar kundërshtarin politik, por duke dëshmuar se ke program, vizion dhe zgjidhje për vendin me mirë se sa qeverisja aktuale!
