Pas mbi tri orësh e gjysmë të mbledhjes të grupit parlamentar dhe Kryesisë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza në një konferencë për media u shpreh optimist se nesër do të votohet projektligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Dhoma të Specializuara.
Hamza tha se ky është një ligj shumë i rëndësishëm dhe kërkon që të vendoset drejtësia.
Hamza: Është një ligj që kërkon të vendoset drejtësi
“Nesër jam optimist se ligjin do ta përkrahin të gjithë deputetët edhe i lus dhe i ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të jenë në mbështetje të këtij projektligji dhe ky ligj nesër t’i përfundojë të gjitha procedurat e nevojshme brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës. Është një ligj tepër i rëndësishëm, është një ligj që kërkon të vendoset drejtësi. Nuk jemi kundër drejtësisë, jemi kundër padrejtësisë. Dhe deri më tani, çka kemi parë në proces: kemi parë mungesë transparence, mungesë llogaridhënieje, mungesë mbikëqyrjeje dhe kemi një vendim të padrejtë. Një vendim ku gjykohet historia, e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës, ku qytetarët e Kosovës që përballen me këtë drejtësi, ballafaqohen me një proces të padrejtë, ku i shkelen edhe të drejtat e njeriut, siç kemi konstatime edhe prej organizatave kredibile ndërkombëtare”, tha Hamza.
Ai tha se deri tani ka pasur shumë vështirësi gjatë procesit, por që duan të besojnë në drejtësi.
Hamza: Presim që Apeli të të ketë vendim të drejtë, bazuar në fakte, në prova, jo thashetheme
“Deri tash çka ka ndodhur: ka pasur shumë vështirësi, ka pasur shumë probleme, ka pasur shumë padrejtësi. Ne po duam të vazhdojmë të besojmë në drejtësi. Dhe për këtë qëllim, Apeli të zhvillohet brenda Dhomave të Specializuara, në kuadër të Dhomave të Specializuara, dhe ne presim që të ketë një vendim të drejtë, bazuar në fakte, në prova, jo thashetheme, jo të pavërteta, jo të ndërtohen dhe të sajohen krijesa që s’kanë ekzistuar”, tha Hamza.
Ndërsa sa i përket marrëveshjes për presidentin, ai nuk u përgjigj, duke u shprehur se janë dy gjëra të ndryshme, sepse ligji është nevojë.
Hamza: Çështja e ligjit dhe çështja e presidentit janë gjëra të ndara, ligji është nevojë
“E para, duhet ndarë këto dy gjëra. Çështja e ligjit dhe çështja e presidentit janë gjëra të ndara. Ligji është nevojë. Ligji e adreson një çështje që i kalon përmasat e një subjektit politik, e një mandatit të një qeverie. Çështjet e individëve, qytetarëve, është një ligj që kërkon drejtësi edhe me u vërtetuar ajo çka është pastërtia e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ka qenë një luftë e imponuar, populli i Kosovës është organizuar për mbrojtjen e të drejtave të veta, për liri, për pavarësi, për shtet dhe ligji nuk ka të bëjë me një parti politike, nuk ka të bëjë me individë, ka të bëjë me mbrojtjen e të vërtetës historike. Prandaj këtu po flasim për mbrojtjen e të vërtetës historike. E pastaj, normalisht që pasi që veçse afatet kushtetuese po afrohen për presidentin, gjithmonë partitë politike janë për me biseduar edhe për çështjen qysh me i dhënë vendit institucione. Por nuk është që Partia Demokratike e trajton edhe e konsideron edhe e lejon që kjo çështje të trajtohet në nivel të pazareve politike. Është çështje tjetër puna e ligjit dhe është çështje tjetër puna e presidentit”, shtoi Hamza.
Kujtojmë që nesër në orën 9:00 do të mbahet seanca e Kuvendit, në të cilën në rend dite do të jetë edhe Projektligji për Dhomat e Specializuara.
