Lajme

Hamza kritikon Kurtin për aksionin e policisë në Skenderaj, por hesht për sulmin e Lushtakut ndaj Mehanit

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka reaguar ashpër ndaj aksionit të mbrëmshëm të Policisë së Kosovës në Skenderaj, duke e cilësuar atë si presion politik dhe demonstrim force nga ana e Qeverisë.

Në reagimin e tij në Facebook, Hamza akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për propagandë, përçarje dhe keqpërdorim të institucioneve shtetërore për interesa partiake, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të përgjigjen me votë më 7 qershor, përcjell “Bota sot”.

Reagimi i Hamzës vjen një ditë pasi ai nuk u deklarua për incidentin ku Sami Lushtaku u përfshi në një sulm fizik ndaj kryetarit të degës së LVV-së në Skenderaj, Hysni Mehanit, duke nxitur reagime për qasje selektive ndaj tensioneve dhe dhunës në skenën politike.

Reagimi i plotë

Mbrëmë pamë skena aspak të mira, ku Policia e Kosovës, me urdhër të Qeverisë, dërgoi njësi speciale në Drenicë me prapavija presioni dhe demonstrimi force.

E porosis kryeministrin në detyrë të ndërpresë propagandën, të ndërpresë urrejtjen dhe, para së gjithash, t’i ndalë menjëherë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë të tij partiakë.

Ai nuk mund ta parandalojë braktisjen nga votuesit me skenarë të rrezikshëm përçarës. Ndalu, Albin.

Kërkoj nga votuesit e PDK-së dhe nga të gjithë qytetarët ta ruajnë gjakftohtësinë dhe të fokusohen në datën 7 qershor. Aty do ta japim me votë përgjigjen tonë ndaj politikës së përçarjes.

Të Ngjashme