Lajme

​Haradinaj: Ardian Gjini është politikan elitar dhe rast i veçantë në politikën shqiptare

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka zyrtarizuar kalimin e timonit të partisë tek Ardian Gjini, duke e konfirmuar atë si udhëheqësin e ri që do të çojë përpara projektin dhe doktrinën politike të Aleancës.

Haradinaj ka bërë të qartë se ky tranzicion vjen si rezultat i një pjekurie institucionale, ku AAK tashmë ka kaluar përtej personalizimit të liderit dhe është shndërruar në një strukturë me memorie e qëndrueshmëri afatgjatë.

Ardian Gjini është krijues i Aleancës. Aleanca është kthyer në doktrinë, nuk është Aleanca vetëm individi, është doktrinë politike, ka një jetëgjatësi, ka një qëndrueshmëri, ka një memorie.

Mund t’ju them që Ardiani është i krijuar aq mirë, sa që është rast i rrallë i politikanit i krijuar aq mirë,” ka deklaruar Haradinaj.

Më tej, Haradinaj ka thënë se përgatitja dhe profili i kryetarit të ri të AAK-së i kalojnë kufijtë lokalë e rajonalë, duke garantuar një udhëheqje të nivelit më të lartë elitar.

Një rast i veçantë në politikën shqiptare, në Ballkan gjithsesi, po mendoj një rast i veçantë edhe në politikën botërore. Kemi të bëjmë me një nivel të politikanit që në të gjitha parametrat prinë. Një politikan elitar,” u shpreh ai.

Haradinaj ka shprehur bindjen e tij të palëkundur se nën drejtimin e Ardian Gjinit, Aleanca do të jetë adresa kryesore për zgjidhjen e problemeve të mëdha me të cilat përballet Republika e Kosovës.

“Jo veç që i besoj Ardianit, po shpresoj e besoj që do të jetë zgjidhja për shumë probleme të Kosovës,” përfundoi Haradinaj.

Të Ngjashme