Anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka folur sot para mediave në protestën që po mbahet para Kuvendit pas miratimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në një pyetje për KosovaPress, Haradinaj tha se e sheh si nder mundësinë e votimit të shpërbërjes së Gjykatës Speciale.
“Të isha kanë deputet, e kisha ndie shumë për nder, nëse më ish dhënë mundësia. Për mu personalisht mendoj që është akt historik jetësor për një deputet për me votu sot shpërbërjen e gjykatës speciale, në këtë rast ndryshimin e ligjeve”, tha Hardinaj.
Edhe pse Projektligji u miratua në lexim të parë, Haradinaj tha se e kanë shansin sot ta kalojnë dhe në votim të dytë.
“E di që ka kalu në lexim të parë, por shpresoj që deputetët në emër të popullit, në emër të qytetarëve që i përfaqësojnë, gjithë ata protestues, jo veç në sheshin e Prishtinës por kudo në botë, e kanë shansin historike me e votu sot”, tha Haradinaj.
Më tej, ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtarët e Kosovës, tha se nuk ekziston asnjë institucion përveç Parlamentit të Republikës së Kosovës që mund të i jap kaheje vendimit të Hagës.
“Në demokraci kemi thënë vota është ajo e cila përcakton kah do të shkoj, kah do të merr drejtim ky proces. Nuk ka institucion tjetër kredibil, as në nivel botëror, përpos parlamentit të Kosovës. Këta e kanë shansin, në rast se nuk votojnë do të mbahen përgjegjës, do të japin përgjegjësi para qytetarëve”, tha Hardinaj.
Më tutje ai tha se nuk duhet me pas asnjë ndarje partiake, sepse në fund të ditës aty fjalën e fundit e ka Parlamenti si një organ i plotë kompetent.
Në fund Haradinaj tha se sot duhet të ishte vetëm një pikë në rend të ditës, e ajo të ishte miratimi i Projektligjit.
“Kjo seancë ish dashtë veç një pikë të rendit të ditës me e pas, ndryshimin e ligjeve të dhomave speciale asnjë send tjetër. Çdo ndërhyrje ose tendencë e tejkalon edhe atë aktin moral të institucionit kredibil që është parlamenti”, përfundoi Haradinaj.
Ndryshimi i legjislacionit që lidhet me Dhomat e Specializuara, është çështje e cila ka nxitur protestë para objektit të Kuvendit gjatë tërë ditës.
Sot, në Kuvendin e Kosovës me 91 vota për e asnjë kundër, është votuar në leximin e parë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zyrën e prokurorit te specializuar.
Gjithashtu në këtë seancë janë miratuar edhe disa projektligje të tjera.
