Lajme

​Haradinaj për Ahmet Krasniqin: Rruga dhe ideali i tij për ushtri të rregullt u jetësuan

Ish kryeministri i Kosovës dhe ish kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar kolonel Ahmet Krasniqin në përvjetorin e vrasjes së tij, duke thënë se përvjetëorët e tillë rikujtojnë çmimin e lartë që Kosova pagoi për lirinë.

“Kolonel Ahmet Krasniqi ishte shembulli i sakrificës, profesionalizmit dhe dashurisë së pastër për atdheun”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Sipas tij, vrasja e Krasniqit la një zbrazëti të madhe. Megjithatë, ideali i tij për një ushtri të rregullt dhe institucionale u realizua.

“Edhe pse vrasja e tij la një zbrazëti të madhe, rruga dhe ideali i tij për një ushtri të rregullt e institucionale u jetësuan. Lavdi jetës dhe veprës së kolonelit”, shkroi Haradinaj.

Kolonel Ahmet Krasniqi u vra më 21 shtator 1998 në Tiranë. Ai ishte ministër i Mbrojtjes në atë që njihej si Qeveria në Ekzil e Republikës së Kosovës, shefi i së cilës ishte Bujar Bukoshi. Vrasja e tij vazhdon të mbetet e pazbardhur.

Të Ngjashme