Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, i cili i ka dorëzuar Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, shkruan “Bota sot”.
Gjatë takimit, Haxhiu dhe Schuebel kanë diskutuar për gjetjet e raportit, punën që e pret Kuvendin dhe hapat që duhet të ndërmerren në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka bërë të ditur se një ndër temat kryesore të diskutimit ka qenë përshpejtimi i reformave dhe përparimi në fushat ku janë evidentuar ngecje.
Ajo ka theksuar se rikthimi i Kuvendit në punë krijon mundësi për t’i dhënë një ritëm të ri procesit të reformave.
Postim i plotë:
Sot prita në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, me të cilin diskutuam për Raportin e Komisionit Evropian dhe punën që kemi përpara në rrugën tonë drejt BE-së.
Tani që Kuvendi i është kthyer punës, kemi mundësinë t’i japim një ritëm të ri reformave dhe të shënojmë përparim në fushat ku janë evidentuar ngecje.
Diskutuam veçanërisht për Agjendën e Reformave, Planin e Rritjes dhe rëndësinë e përmbushjes së detyrimeve brenda afateve, si dhe për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shpreha gatishmërinë për ta thelluar bashkëpunimin mes Kuvendit dhe Zyrës së BE-së, sidomos në procesin legjislativ dhe mbikëqyrjen e zbatimit të reformave.
Rruga drejt Bashkimit Evropian kërkon punë të vazhdueshme, përkushtim dhe përgjegjësi nga të gjitha institucionet. Besoj se me bashkëpunim dhe me angazhim të përbashkët mund të shënojmë përparim të dukshëm në reformat që i duhen vendit dhe qytetarëve tanë.
