Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka pranuar kërkesën e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit.
Sipas njoftimit, seanca do të mbahet sot në orën 20:30.
Në kuadër të kësaj kërkese, janë propozuar dy kandidatura për postin e Presidentit: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Haxhiu u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të marrin pjesë në këtë seancë, duke theksuar rëndësinë e përmbushjes së obligimeve kushtetuese.
Kjo seancë vjen në një moment vendimtar, pak para përfundimit të afatit ligjor për zgjedhjen e Presidentit, ndërsa mbetet të shihet nëse do të sigurohen votat e nevojshme për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Shkrimi i plotë:
Sot kam pranuar kërkesën e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit, e cila do të mbahet sot në orën 20:30.
Në kuadër të kësaj kërkese janë propozuar dy kandidatura për President: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
I ftoj që të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të marrin pjesë në këtë seancë, në përputhje me obligimet e tyre kushtetuese.
