![](https://i0.wp.com/www.fiks.al/wp-content/uploads/2023/06/haziri-i-kerkon-osmanit-ta-ushtroje-detyren-kushtetuese-per-uljen-e-tensioneve-ne-veri_647a440ec6d28.jpeg?resize=850%2C512&ssl=1)
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka kërkuar Vjosa Osmani që ta ushtrojë detyrën e saj kushtetuese për të kontribuar në uljen e tensioneve në veri të vendit.
Në një postim në Facebook, Haziri ka thënë se presidentët historikisht në Kosovë kanë pasur role unifikuese.
“Presidentja ta ushtrojë detyrën e saj kushtetuese për uljen e tensioneve në Veriun e Kosovës. Presidentët historikisht në Kosovë kanë pasur role unifikuese, duke dhënë kontributin e tyre në procese të ndryshme siç ishin protestat e dhunshme të vitit 2015, në dialogun e Vjenës e procese të tjera”, ka shkruar ai.
Haziri tutje ka thënë se presidentët kanë luajtur rol kyç në raportet e Kosovës me shtetet e BE-së, e sidomos edhe me ShBA-të.
Ndryshe, në komunat në veri për pesë ditë me radhë kanë protestuar grupe të qytetarëve serbë duke kundërshtuar kryetarët shqiptarë atje. Këto protesta më 29 maj u shndërruan në përleshje të dhunshme, ku mbetën të lënduar dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it, por edhe protestues.
Në dy ditët e fundit, situata është më e qetë, ndërsa është paralajmëruar se shumë shpejt mund të ketë zgjedhje të reja.